Nga Resul Resulaj
Reflektojmë mbi lëvizjet e gjelbërta që kanë ndodhur përgjatë 2019-ës, për të ilustruar përmasat e lëvizjeve shoqërore anë e mbanë kontinentit, të shtyra nga kauzat ekologjike. Siç tashmë e dimë, për vite me radhë rrugët e Evropës janë mbushur me qytetarë që kërkojnë veprime dhe vendimmarje politike për t’u përballur me zhvillimet e dekadave të fundit nga shkrirja e akujve si pasojë e rritjes me 2 gradë të temperaturës së tokës krahasuar me vitet 1900, ndotjes së deteve nga plastika, rritja e emetimeve të gazrave serrë, zhdukja e specieve në rrezik, ndotja nga produktet agro-ushqimore, zjarret masive, shpyllëzimi etj. Prashikime dramatike pohojnë se deri në fund të shekullit niveli i përgjithshëm i deteve do të rritet me 1.5 metër çka do të sjellë fundosjen e shumë qyteteve nën ujë dhe gjithashtu parashikime akoma më dramatike janë që në të ardhmen do të ketë “climate wars” mes shteteve për sigurimin e burimeve natyrore.
Nuk mund të minimizohet dhe sikundër as mund të mënjanohet që bota po shkon drejt ngrohjes globale. Nga njëri vit në tjetrin, ndryshimet klimatike nuk vërehen lehtë. Por teksa njëra dekadë mbaron dhe i lë vendin fillimit të tjetrës, historia bëhet më e qartë. Me përjashtim të një pakicë që mendon se planeti po kalon në faza ciklike ngrohje dhe ftohje, shkencëtarët njëzëri mbi 97% e tyre sipas Forbes kanë ngritur alarmin për efektin serrë që po përjeton planeti ynë.
Kontinenti i vjetër si një territor më një të kaluar të theksuar industriale është i prekur nga këto zhvillime të modernizmit, më tepër se gjysmën e emetimit të gazrave serrë brenda unionit e shkaktojnë katër vende si Gjermania, Franca, Italia dhe Polonia. Ndërkaq në Evropë, Venecia po përmbytet dy herë në vit, Greqia dhe Spanja po digjen masivisht çdo verë, industria e rëndë në Gjermani dhe Poloni ka shkaktuar ndotje të theksuar, rrethi artik në kufijtë e Finlandës dhe Suedisë po ngushtohet gjithmonë e më tëpër, përmbytjet po shoqërojnë çdo vit rajone të tëra në Rumani dhe Bullgari, një ndër të vetmit lumenj të padëmtuar në Evropë siç është Vjosa në Shqipëri rrezikohet nga ndërtimi i disa digave të hidrocentraleve. Po ashtu do të ndalesha posaçërisht në aspektin ekonomik për të demostruar impaktin social që kanë ndryshimet klimatike. Përdoret gjerësisht termi “drejtësi klimatike” prej së cilës klima ndikon në thellimin e pabarazive ekonomike, dëmtimi i ekonomisë bujqësore dhe mospërballimin e kostove të shëndetit për shtresat më të margjinalizuara kur moti kthehet kundër tyre.
Arsyje mëse e mjaftueshme për të kuptuar rëndësinë e kësaj tematike dhe simbiozën me mobilizimin masiv të popullsisë, veçanërisht të të rinjve si në rastin e jelekverdhëve në Francë, për kombinimin e kauzave ekologjike me ato ekonomike. Po ashtu shpjegohet edhe pesha politike që kanë marrë në zgjdhje e fundit për Parlamentin Evropian partitë e gjelbërta veçanërisht në Gjermani, Austri, Francë, Çeki, Suedi, Finlandë, Belgjikë. Agjenda e ndryshimeve klimatike si aksion politik është ndjekur prej vitesh nga forcat progresiste social demokrate dhe të gjelbërta në Parlamentin Evropian, të cilët e shtynë këtë kauzë drejt qendrës duke siguruar arritjen e konsensusit edhe mes liberalëve, kristian demokratëve dhe një pjese të konservatorëve.
Në tërësinë e tyre lidershipi evropian i formësuar pas zgjedhjeve evropianë doli me një vendim të unifikuar që do të cilësohej gjerësisht si një gur themeli për të gjithë botën. Në një kohë kur me vendim të Trump, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dolën nga Traktati i Parisit (2015) për reduktimin e emetimeve karbonike, diskursi për një çështje të tillë ndeshet në barriera mospranuese. Nga ana tjetër e Oqeanit Atlantik, Bashkimi Evropian arriti të votojë në Parlamentin Evropian më 15 janar “Paktin e Gjelbër” , marrëveshje e cila që do të garantojë një zhvillim të qëndrueshëm dhe një Evropë ekologjike për brezat e ardhshëm.
Por cila është baza përmbajtësore e kësaj marrëveshje? Megjithëse zhvillim historik për kontinentin, Pakti i Gjelbër nuk kaloi pa kundërshti dhe rezistencë. Ishin forcat konservatore të ekstremit të djathtë dhe komunistët në Parlamentin Evropian që shfaqën kundërshtitë e para. Po ashtu edhe vetë shtetet e unionit nuk qenë me një qëndrim të dakortësuar, Polonia e motivuar nga arsye ekonomike të sektorit të zhvilluar minerar, ishte kundërshtarja më e flaktë e kësaj marrëveshje. Sigurisht që ku ka vullnet ka edhe konsensus. Pakti i Gjelbër do të kushtojë 1 trilion euro dhe 100 miljard të tjera do shkojnë për Poloninë, siguron reduktimin me 50% të gazrave serrë deri në 2030 si dhe emetimin e 0 karbon deri në 2050. Transformimin e Bankës Evropiane të Investimeve në një bankë klimatike, ndalimin e të gjitha investimeve të financuara nga Bashkimi Evropian për industritë që përdorin lëndë djegëse, financimin e energjive alternative, restaurimi ekosistemit dhe biodiversitetit etj.
Pakti i Gjelbër do të shërbejë si një udhërrëfyes për zgjidhjen e problemeve me klimën, në atë mënyrë që të kemi një ekonomi të qëndrueshme. Por a është mjaftueshëm?
Gjykoj se asnjëherë nuk është tepër dhe nuk është pak për të bërë për klimën, edhe në këtë fazë krize që planeti ndodhet aktualisht. Bashkimi Evropian do të njihet si pioneri në ndërrmarjen e aksioneve konkrete për ndryshimet klimatike, por kjo nuk mjafton nëse nuk shoqërohet edhe prej vendeve të tjera. Vendet janë ngushtësisht të lidhura mes tyre dhe çdo vendim duhet marrë në koordinim. Nga ana tjetër Pakti i Gjelbër nuk është i mjaftueshëm sepse para së gjithash ndryshimi duhet të fillojë nga secili prej nesh, në vetëdijen qytetare që në vegjëli, përmes ndryshimit të mënyrës së jetesës. Veprime të thjeshta na shërebjnë të gjithëve për një mjedis më të shëndetshëm si: pyllëzimi, ndarja e mbeturinave, ndryshimi i dietës, ndriçimi LED, reduktimi i përdorimit të plastikës, transporti ekologjik, përdorimi i energjive të djellit dhe erës etj.
Në mbyllje do të doja të citoja Bill Nye një prej shkenctarëve më të njohur për çështjet klimatike që thotë: “sa më pak të adresojmë ndryshimet klimatike tani, aq më shumë rregullime do të na duhen në të ardhmen” .