Ndërsa në Shqipëri ka filluar debati për legalizimin e hashashit, pas propozimit të kryeministrit Edi Rama, nga SHBA vjen një lajm interesant. Aktori i njohur me origjinë shqiptare, James Belushi, është kthyer në një nga kultivuesit kryesorë të hashashit në SHVA. 65-vjeçari u bë fermer i kanabisit disa vite më parë, pasi Oregoni legalizoi përdorimin e kanabisit. Tani ai nuk dëshiron të mbetet një aktivitet lokal por që Ferma e tij të jetë kombëtare, duke përdorur markën e njohur Blues Brothers dhe duke ndërtuar një kompani serioze. Belushi planifikon të nisë operacione për rritjen e kanabisit në Kaliforni dhe Nevada. Ai gjithashtu ka biseduar me kompani të mëdha kanabisi, përfshirë disa me bazë në Agoikago, për të krijuar partneritete me kultivuesit, prodhuesit dhe shitësit me pakicë që do ta bëjnë markën Blues Brothers kombëtare dhe ndërkombëtare.
E gjithë eksperienca e Belushit me kultivimin e kanabisit do të shfaqet në një reality shou, për të cilin nuk janë zbuluar shumë detaje. Në një intervistë për Live Nation verën e kaluar, Belushi tha se ka pranuar të financojë një shfaqje televizive në lidhje me jetën e tij të re si kultivues kanabisi. Kjo do të dalë në transmetim në 2020-ën. Belushi dhe ferma e tij prej 93 hektarësh përgjatë lumit Rogue jashtë Medford, kishin qenë edhe më parë objekt i një serie të shkurtër televizive në rrjetin DIY. Ai ka një ide të ndërlikuar që të shpëtojë njerëzit nga abuzimi me opium dhe sipas tij kjo është përdorimi i marijuanës si alternativë. Pas 40 vitesh në industrinë e argëtimit, Belushi i di mirë një ose dy gjëra për rëndësinë e një historie të mirë për të shitur diçka. Historia e vëllait të tij John, i cili vdiq nga një mbidozë në 1982, ende rezonon. “Bëhet fjalë për një mision nga Zoti, John që vdes nga një dozë e tepërt e opiumit. Unë dua të shpëtoj jetë, familje dhe komunitete”- shpjegonte Belushi për fondacionin e Innovation Chicago. E Belushi e ka seriozisht me kalimin në një markë kombëtare. Ai ka hapur edhe faqen në Instagram “BelushiFarm” ku çdo ditë publikon foto dhe video nga ferma e tij si dhe ka zbuluar paketimet e produktit me logon e “Blue Brothers”. Postimet nuk janë ndalur as në ditët e pandemisë.