Nga Ylli Pata

Që beteja për Teatrin ishte politike, kjo dihej që kur nisi para 20 vitesh.

Madje ajo nuk ka qenë betejë PS-PD, por edhe betejë e brendshme politike brenda PS-së që në kohën kur Edi Rama u bë ministër Kulture dhe shpalli idenë për të rrëzuar Teatrin dhe ndërtuar nga e para. Grupime të ndryshme në PS i shfrytëzonin një pjesë artistësh që ishin edhe të inkuadruar në parti, në këtë përplasje me Ramën.

Ndërkaq, Aleanca për Teatrin, e ngjizur prej dy vitesh, u krijua dhe u forcua si një pol politik pranë Partisë Demokratike tashmë, pasi largoi apo nuk afroi në të artistët që nuk janë të djathtë apo ata që janë të majtë, por të pakënaqur me Ramën.
Madje kohët e fundit, nga ky grupim u larguan edhe mjaft pjesëtarë të njohur, ngaqa siҫ duket hapësira sa vinte edhe ngushtohej edhe si pasojë e sinjaleve që vinin nga opozita.

Në qëndrimet e fundit, grupimi i Aleancës duket hapur që është shumë pranë PD-së, por jo vetëm, ajo po hyn edhe në skutat politike të ekuilibrave të opozitës, kur nga Teatri devijon në ҫështje që nuk duhet të jenë as kauza politike të opozitës që synon pushtet. Në deklaratën e sotme të Aleancës për Teatrin për shembull, përveҫse sulmohet Rama për prishjen e Teatrit, ky grupim i futet edhe argumentit të Reformës në Drejtësi, ҫ’ka dukshëm ngjan me reagimet e disa grupeve të interesit të opozitës, me të cilët duhet të thuhet se edhe Lulzim Basha ka ruajtur distancimin social.

“Vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese e as Gjykatë të Lartë, dhe tani po rrezikohet të mbetet edhe pa gjykata apeli. ‘Reforma në drejtësi’, pavarësisht qëllimeve e motiveve me të cilat nisi, është sot një dështim total! Ajo jo vetëm nuk ka fuqizuar qytetarët, por ka hequr çdo kontroll ndaj abuzimeve të Kryeministrit”.

Pasi bën thirrje për një koalicion për të rrëzuar “diktaturën e Edi Ramës”, kjo aleancë shkon edhe më tej kur kërkon:

– Shfuqizimin e të gjitha amendamenteve të Kushtetutës të kryera pas vitit 1998;

– Hartimin e një kushtetute të re, të mbështetur në parimet e demokracisë direkte.

Pra nga Aleancë për Teatrin, kjo tashmë është kthyer në një aleancë kundër reformës në drejtësi, pasi kërkon në mënyrë të qartë që jo vetëm të rrëzohet Edi Rama, por edhe Kushtetuta apo edhe ndryshimet që nuk i ka kryer kryeministri aktual.Që nisin që me ndryshimin e sistemit zgjedhor në vitin 2005, e deri në ndryshimet e vitit 2007, 2008, të vitit 2013, e në fund ato të vitit 2016 për Reformën në Drejtësi.

E në dy kërkesat e fundit, duket se ky grupim nga Basha po i afrohet më shumë Metës, i cili pritet që të lanҫojë një forcë të re populiste, ku kërkon hartimin e një Kushtetutë të re që ka të përfshirë “demokracinë direkte”. Një term abstrakt i përdorur rëndom vitet e fundit nga forcat populiste në Europë, të cilët kur erdhën në qeverisje, ju kthyen sërish normalitetit të demokracisë përfaqësuese.

Megjithatë, të gjitha ndryshimet që duhen apo duan mund të vlejnë, por e pakuptueshme është se përse Aleancës për Teatrin i duhet shfuqizimi i Reformës në Drejtësi, duke qenë se është një aksion politik i mbështetur fort nga SHBA dhe BE. Nëse ka kontestime për mënyrën e zbatimit të reformës, ok mundet që të kërkohej një largim i njerëzve në Gjykata apo prokurori, por duket e ҫuditshme përse kërkohet ndrysyhimi i pjesës së Kushtetutës që ka garantuar vettingun dhe ONM-në…