Regjisori Altin Basha është shprehur në studion e lajmeve në Abc News se zgjedhja për një teatër të ri do t’u shërbejë brezave në vijim. Basha është shprehur se në kauzën për teatrin ndërhyri policia dhe tashmë kjo lëvizje po merr një krah partiak që nuk po ndjek qëllimin për të cilin është krijuar. Basha u shpreh: “Ndodhi sipas meje ndërhyrja e politikës dhe ne siç po shikojmë se po merr kah partiak lëvizja dhe jo qëllimi për të cilën është krijuar. Ne kemi qenë të gjithë të bashkuar për transparencë me projektin e ti që disa ishin për teatër të ri, po me këtë fasadë dhe disa të tjerë për një teatër komplet të ri… Ajo është thjesht një shtojcë e PD-së në ndryshim nga qëllimi fillestar që u krijua ku ishte thjesht anëtarë të shoqërisë civile, por tashmë shumica e anëtarëve janë anëtarë të Partisë Demokratike.”
Po ashtu regjizori u shpreh se teatri i ri është i nevojshëm pasi me rritjen e shtetit rriten edhe kërkesat si ato të artistëve po edhe ato të publikut.
Basha shton më tej: “Zgjedhja që kam bërë është një zgjidhje që do u shërbejë brezave që do të vinë… Shteti rritet, kërkesat rriten, ndryshon mënyra sesi bëhet teatër dhe kësaj duhet t’i përgjigjesh. Një teatër që nuk i shërben artistit, krijuesit, është një teatër që është një farë disonance.” Sipas Bashës rikonstruktimi i ndërtesës ishte një gjë e pamundur, kjo pasi veç kushteve, ai teatër ashtu siç ishte nuk u ofronte kushte aktorëve.
Altin Basha: “Kjo ishte një ide, rikonstruktimi në atë gjendje ishte e pamundur, e thonë ekspertët….E vetmja mënyrë ishte kjo. Nëse ndërtojmë një teatër që përsëri nuk na ofron kushte a do ia vlente e gjithë kjo?” Sa i përket projektit të parë, Basha u shpreh se një nga pikat më të mëdha të kësaj çështjeje ishte problemi i financimit nga privati. Sipas tij, është më mirë që teatri i ri do të bëhet me para publike, kjo pasi procesi mund të jetë më i monitorueshëm.
“Dua të them që një nga pikat e mëdha të debatit që ka qene për çështjen e teatër ishte heqja dorë nga financimi me privatin. Të behej me para publike ishte një ide shumë e mbështetur. Më vjen mirë që do bëhet me para publike. Çdo diskutim është i rrëzuar tashmë. Ajo do bëhet me para publike, mund të monitorohet çdo gjë. Do të kërkohet më lehtë llogari,” shtoi më tej regjizori.