Albert P. Nikolla/
Ndër simbolikat më të fuqishme në Shkrimet e Shenjta është edhe ajo që lidhet me dallimet mes dy qyteteve më të famshme biblike: Babilonisë dhe Jerusalemit. Babilonia është simboli i rrëmujës, shëmtisë, pisllëkut moral, fjalëve të ndyra dhe e mungesës së harmonisë, i njerëzve që flasin gjuhë të ndryshme e nuk merren vesh mes vetit. Përshkrimin më tronditës të këtij qyteti e gjejmë në Librin e Zbulesës: “Mbi ballë kishte të shkruar një emër me kuptim të fshehtë ‘Babilonia e madhe, nëna e fëlliqësive të dheut’”.
Përkundër kësaj fëlligështie, Hyji ka dhuruar qytetin e dashurisë, Jerusalemin, i cili është bash pamja e paqes, harmonisë, bukurisë, i dialogut dhe i fjalëve të ëmbla, pa zemërim. Është hapësirë që ka krijuar Hyji për paqen mes njerëzve. Në po të njëjtin Libër të Zbulesës kemi këtë përshkrim për Jerusalemin: “Pashë edhe qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, që zbriste nga qielli prej Perëndisë, si një nuse e zbukuruar për dhëndrin e saj.”
Kjo simbolikë është sa e vjetër, aq edhe e re në ecjen misterioze të njerëzve drejt së bukurës e së mirës në art e politikë, në jetën vetjake e kolektive. Babilonia mendjemadhe është vetëreferuese e pikërisht në këtë pikë dallohet hullia e rrezikshme e rënies në idiotësi. Askush nuk i shpëton kurthit të idiotësisë kur bëhet vetëreferues (autoreferencial), qoftë ai person apo grup njerëzish që mund të jenë edhe në mirëbesim, por që vetëreferimi i bën të rrëshqasin. Hullia e përmendur më lart i ka dalë përpara grupit që kërkon me ngulm mosprishjen e rrënojës, sepse çdo ligjërim i tyre është vetëreferues dhe përbuz çdo kërkesë për dialog nga institucionet.
Idiotësia është në njëfarë mënyre arsyetim, por ajo buron nga një shkak i jashtëm, që sipas arsyetimit idiotesk ka vlerë në vetvete: idiotësia ballafaqohet vetëm me vetveten dhe nyjëtohet sipas botëkuptimit që krijon në mendjen e vet subjekti i arsyetimit idiotesk. Idiotësia, pra, është një e metë e procesit të të arsyetuarit. Një e metë që mund të përshfaqet shumë herë apo përherë. Natyrisht, për qartësim të nevojshëm etik, pohoj se idiotësia i përket përpjekjes për arsyetim si të tillë dhe jo njerëzve të cilët, me hir ose pahir, i magjeps zbavitja e idiotësisë.
Sapo u njohën me dy ekspertizat e Institutit të Ndërtimit të vitit 2018 e 2020, babilonasit teatrorë u harbuan dhe filluan ligjërimin parateatror të fjalëve të ndyra: hajdutë, maskarenj, vrasës, mashtrues, egërshanë – sa njëri syresh klithte me shkulma frymëmarrjeje të përshpejtuar: ta kapim Ramën e ta shtrijmë përtokë në Surrel. Jeniçerët e prapavijës teatrore iu sulën Veliajt e Spiropalit me fjalor babilonas rrugësh. Aq fyese është gjuha e tyre edhe ndaj ne këshilltarëve të Bashkisë, saqë më sjellin ndërmend stërhollimet e Shopenhauerit kur thoshte se ka disa individë, në pamjet e të cilëve është vulosur një vulgaritet i pafajshëm dhe një mungesë këlthitëse aftësie për të arsyetuar, saqë habitem se si është e mundur që dalin në rrugë me një dukë të tillë e nuk marrin një maskë!
Dasia mes artistëve nuk është kurrë e mirë, si çdo dasi, por as ajo në vetvete nuk është shkak, por pasojë e një grupi të vogël të artistëve që kërkojnë me çdo kusht ruajtjen e gërmadhës teatrore. Ashiqare dallohet se ky grup i vogël virulent është i ushqyer prej pasionit gjysmë të fjetur opozitar, i cili zgjohet nga gjumi sapo duhet bërë një punë publike. Dhe përnjëmend, përgjatë ditëve të fundit zjarrmia pasionale e “dashurisë” së Opozitës për gjënë publike është përqendruar tek ndërtesa e vjetër e Teatrit Kombëtar dhe grupi teatror babilonas tashmë ka edhe anëtarë politikanë, si rojat e kuqe të Revolucionit Kinez. Ndoshta disa nga jeniçerët më agresivë e kanë ngatërruar ndërtesën e teatrit me ndonjë monedhë të vjetër romake apo margaritar dhe mendojnë se vlen ta kenë të tyren ngaqë është e vjetër! Kush e di!? Por, sidoqoftë, jam bash njëmend i kënaqur që ndonjërit prej tyre, përfaqësues të opozitarizmit parapolitik, iu dha mundësia të hyjnë të paktën njëherë në jetën e tyre në një godinë ku është luajtur teatër, veçse jo për të parë një shfaqje, por për të bërë shfaqje.
Sado të shpërthiqet ngrehina kashtë e baltë e teatrit, ajo nuk nxjerr tjetër veçse kujtimet e bukura të një brezi artistësh që e kanë dhuruar tashmë të bukurën. Për kushtet në të cilat ndodhet ajo ndërtesë, jo për faj të saj, është si kokrra e grurit që nëse nuk vdes, nuk jep bimë të re. Por duke qenë se disa janë lidhur me të si me një totem frojdian, besoj se ajo i “trembet” më shumë bujtësve frojdianë sesa shembjes. Dhe besoj se për pjesëtarët më agresivë të mbrojtjes së gërmadhës do të vlente aq shumë këshilla e B. Brehtit kur thoshte se nëse njerëzit duan të shohin vetëm gjërat që mund të kuptojnë, nuk duhet të shkojnë në teatër, por në banjë!