“Për të menaxhuar krizat e pandemisë dhe tërmetit së pari do të aplikojmë në ekonomi fondet e Rindërtimit dhe më pas kemi një plan të saktë masash për ndërhyrjen në ekonomi me krizën e COVID-19”, deklaroi deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati. Në një intervistë televizive, Bushati tha se “këto dy kriza (tërmeti dhe pandemia) nuk kanë ndodhur kurrë në historinë e Shqipërisë, duke e bërë sfiduese situatën: por duhet thënë se sërish ne e kemi përballuar këtë krizë. Për këtë një falënderim duhet të shkojë edhe për qeverinë”.

“Nuk ka një skenar të gatshëm se si do të dalim nga kriza. Për herë të parë, njerëzimi po funksionon bashkë dhe kjo krizë nuk ka lidhje me asnjë ngjarje të mëparshme me historinë”, tha ai. Ai theksoi se “faza e parë është përballja shëndetësore ku ne po përpiqemi të shpëtojmë sa më shumë jetë njerëzore”.

Më pas, sipas tij, “faza e dytë është hapja e ekonomisë”. “Besoj do jetë një kërcim që do vazhdojë deri në shtator, një hap para dhe mbrapa gradualisht”. “Faza e tretë dhe përfundimtarja është jeta apo biznesi me COVID-19, pra si do të bashkëjetojmë. Pa dalë një vaksinë, ekonomia globale dhe ajo shqiptare nuk do jetë në normalitetin e duhur”, tha ai.

Bushati vlerësoi se “bashkë kemi kaluar një sfidë shumë të rëndësishme, të paktën në fazën e parë, të kësaj pandemie që ka shkaktuar krizë globale, duke sjellë shifra të paprecedenta”. “Shqipëria pati dy kriza të njëpasnjëshme si kriza nga tërmeti dhe ajo nga COVID-19. Puna që është bërë nga qeveria lë vend për optimizëm se nesër punët do të kthehen dhe do të ecin mbarë”, tha ai. Sipas Bushatit, “ajo që është pozitive për Shqipërinë është madhësia e saj dhe pozicionimi në Europë”. “Siç e pamë dhe në rastin e masave pas tërmetit, me procesin e Rindërtimit tregoi që mbështetja për Shqipërinë mund të jetë e madhe. Ndihma që mori Shqipëria ishte sa 10% e PBB-së, gjë që do të ishte e pamundur për një vend tjetër më të madh, ku shifra do ishte e papërfillshme”, tha ai.