Nga Elda Shabani

Ne jemi sot dëshmitarë të një shfaqje të dashurisë e cila na kujton arsyen pse ne, njerëzit kemi mbijetuar gjatë.. Arti i argëtimit në karantinë daton shumë shekuj më parë. Në vitin 1349, pas një epidemie bubonike të murtajës e cila vrau më shumë se gjysmën e popullsisë të Evropës, Giovanni Boccaccio (1313–1375) shkroi një ndër kryeveprat e para letrare të Rilindjes, Dekameron. E gjithë historia është e vendosur në një vilë jashtë Firencës, në fshat, ku shtatë gra dhe tre burra largohen nga Murtaja, dhe kalojnë dhjetë ditë duke flirtuar, filozofuar si dhe duke debatuar. Nëse Dekameron do të përsëritej, të ftuarit në vilë do të shikonin se si ka ndryshuar bota nga Koronavirus.

Vdekja e Zezë ndryshoi rrënjësisht Evropën. Të pasurit filluan të visheshin më ekstravagant në mënyrë që të dallohej statusi i tyre shoqëror. Pandemitë kanë treguar se kanë ndryshuar hartën gjeopolitike të Evropës, ekonominë, ngritjen e qyteteve të reja, zhvillim kulturor dhe shkencor. Kështu nëse do të ktheheshim tek vila, tek dhjetë të ftuarit tanë, por në kohët ku po jetojmë, ato do të diskutonin se çfarë do të sjellë kriza koronavirus në jetën e njeriut modern. Ata do ta konsideronin këtë krizë thjesht një acarim të gabimeve tona në lidhje me dëmtimin dhe ndryshimet klimaterike, ndotjen e mjedisit. Kështu në frymën e Rilindjes dhe të optimizmit, do të dëgjonim e mësonim prej tyre, se ky kaos i cili ka mbërthyer sot botën mund të jetë një mundësi për të ripërcaktuar përparësitë tona në një shkallë më të gjerë apo përmisim të politikave të gabuara globale të cilat kanë karakterizuar dekadën e fundit.

Në dhjetë vjeçarin e fundit kemi parë sesi industritë e mëdha siç është edhe industria e Modës, ka ndikuar në ndotjen e ajrit. Shume aktivist të kësaj kauze kanë protestuar vitin e kaluar për të bojkotuar javën e modës në Londër, me thirrjen që moda të mos jetë sezonale dhe njerëzit të mos blejnë rroba për një vit. Ndoshta thirrjes së tyre, “ Moda e Shpejtë” nuk ia vuri veshin, por e sigurt që pandemia ngadalësoi çdo gjë në gjithçka dhe rruga drejt normalitetit do të jetë e gjatë. Eshtë vërtetuar se ngjarjet kryesore historike si pandemitë, krizat ekonomike, depresion i madh apo edhe luftërat ndryshojnë mënyrën e jetesës përfshirë edhe veshjen tonë. Çdo pandemi është e ndryshme dhe prek trupin apo edhe ekonominë në mënyra të ndryshme, për shembull në fund të Epokës Viktoriane, kur turberkulozi kishte pllakosur vendin, mjekët këshilluan femrat të mos vishnin funde të gjata (pasi veshjet e tyre grumbullonin mikrobet ) dhe korsetë pasi rëndojnë më shumë sëmundjen. Ndërsa Look-i i Ri i Christian Dior, në Luftën së Dytë Botërore rigjallëroi industrinë e modës, duke i dhëne jo vetëm elegancë dhe hijeshi femrës. Për shkak të mungesës së tekstilit, prodhimi i veshjes pati rënie të ndjeshme, duke detyruar stilistët dhe prodhuesit të përshtaten me mungesën.

Sot ndoshta do të dashurohemi sërish me stilin Popover, fustan për shtëpi. Ky fustani dizenjuar për herë të parë nga McCardell i vitit 1942, ishte i thjeshtë dhe shumë funksional pasi mund të vishej edhe për një darkë koktejli duke i shtuar një pjesë tjetër pëlhurë sipër saj. Claire McCardell (1905-1958) gjithashtu shfrytëzoi kufizimet në luftën e Dytë Botërore duke përdorur atë si një burim frymëzimi, i përdori pëlhurat “alternative” të tilla si xhins, leshi dhe pambuku. Mungesa e lëkurës çoi në kepucën balerinë mjaft popullore edhe sot.

Është e lehtë të thuash se Virusi do të ngadalësojë gjithçka. Por e shkuara na mëson se vështirësia shpesh nxit krijmtarinë. Kështu ndodhi në Depresionin e Madh, në vitet e Luftës se Parë dhe Dytë Botërore. Në Itali, për shëmbull, pas Luftës së Dytë Botërore, moda ishte një nga motorët e ekonomisë së vendit. Kjo për faktin sepse kjo industri është një lloj sistemi e cila ushqehet me disiplina të tjera. Ka ide dhe bukuri brenda. Pandemia e gripit 1918 solli “modën e pastër”. Para epidemisë së gripit të spanjoll, njerëzit nuk i lanin rrobat pothuajse aq shpesh, me përjashtim të ndërresave të brëndshme. Pëlhura si liri, pambuku ishin më të preferuarat. Sigurisht edhe gjatë këtyre muajve, do të orientohemi drejt veshjeve të thjeshta e praktike në larje. COVID-19 do të ketë një efekt thelbësor, në përcaktimin e estetikës në të gjithë botën si dhe në mënyrën e veshjes përmes aksesorit maskë. Sot, Maska është e veshur në të gjithë botën dhe po bëhet gjithnjë e më shumë një pjesë e modës dhe e politikës.


.
Hilary Klinton, Ish sekretarja e shtetit amerikan në një postim në twiter u shfaq me një maskë të zezë ku mbi të shkruhej fjala ‘VOTO”. Ajo më tej shkruan: “ Pa makiazh? Pa kostum? Nuk ka problem. Unë kam aksesorin e domosdoshëm të pranverës. Unë kam një maskë (dhe votoj!) Për vendin tim, komunitetin tim dhe për nipërit e mbesat e mia.” Shumë prej nesh e kaluan periudhën e karantinimit me tuta sportive, apo pizhame, një stil i quajtur armik i modës nga stilist të njohur si Karl Lagerfeld, i cili vite më parë është shprehur: “ Duhet të keni humbur kontrollin e jetës tuaj, me blerjen e tutave”. Por sot është kthyer në një garderobë kapsul. Javën e kaluar, ikona e modës Anna Wintour, kryeredaktore e Vogue, befasoi ndjekësit e modës pas publikimit të një foto të saj, ku për herë të parë e shohim të veshur me tuta. Një përdorues i Twitter shkruajti: “ Ky mund të jetë fundi i botës.” Por Pandemia ka zbutur stilin tonë të jetesës dhe bashkë me të edhe veshjen. Nuk mendoj të jetë fundi por fillimi i një epoke të re.

Shumica e njerëzve thjesht duan një zgjedhje të lehtë dhe të shpejtë në këto kohë. Të qënurit i mbrojtur dhe i sigurt, është një nevojë themelore e njeriut. Në modelin “Hierarkia e Nevojave”, krijuar nga psikologu amerikan, Abraham Maslow në 1943 në kulmin e Luftës së Dytë Botërore shpjegon se pas ushqimit, ujit, strehimit, ngrohtësisë dhe seksit, veshja vjen si nevoja më urgjente.

Ajo na ndihmon të jemi dhe të ndjehemi të sigurt. Kjo do të thotë se kur të përfundojë COVID-19, njerëzit do të veshin më shumë veshje të cilësisë së mirë edhe pse mund të mos jenë në modë. Përparësia do të shkojë tek rrobat që do t’i rezistojnë më gjatë sezonit si dhe muajve.


Kryedatorja e revistës Vogue, në intervistën e saj të fundit u shpreh se, – “ Industria e modës duhet të ngadalësohet. Ajo duhet të reflektojë në çfarë është substanciale për ne. Kjo është një mundësi për të gjithë të shohim e të rimendojmë se cilat janë vërtet vlerat tona. Gjithashtu njerëzit do të jenë të etur për të blerë gjëra, por nuk mendoj se ata do të kërkojnë diçka të re, një trend të ri por sigurisht do të ketë një përqafim të kulturës dhe individualitetit.”

Një veshje tipike meksikane Fridës si huipiles, toga do të vazhdojë të jetë frymëzim sepse dizajni është jo vetëm i thjeshtë, praktik por mbi të gjitha ka bukuri dhe art. Huipil është një veshje tradicionale e veshur nga gra indigjene nga Meksika Qendrore. Gratë e Majave i vishnin ato pasi besonin se veshja e kthen njeriun në qendrën e universit. Sipas tyre kur ne veshim një huipil, atëherë trupi jonë është ura simbolike midis tokës dhe qiellit, një rilindje. Është kjo fjalë besoj, ku ”dhjetë të ftuarit” të Rilindjes moderne po kërkojnë të bëjnë, t’i japin shpresë vlerave jo vetëm kaosit gjatë Coronavirus, por edhe përpara saj.