10 mijë litra dezinfektant dhe 100 mijë maska kirurgjikale nga Polonia për spitalet dhe entitete të tjera që i kanë më të nevojshme në Shqipëri. Autokolona e Shërbimit Zjarrfikës Polak, me 70 ton gjithsej ndihma për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, mbërriti sot nga Prishtina në Tiranë. Ndihma iu përgjigj nevojave të vendeve të Ballkanit Perëndimor të adresuara tek Qendra Euroatlantike e Reagimit në Raste Katastrofash (EADRCC).

“Ndihma e sotme, tha me këtë rast Ambasadori i Polonisë në Tiranë, Karol Bachura, është një shprehje simbolike e solidaritetit polak, të njohur ndërkombëtarisht në kontekstin e luftës kundër pandemisë së COVID-19 dhe pasojave të saja negative social-ekonomike. Solidariteti ndërnjerëzor, vijoi ambasadori Bachura, simbolikisht i qëndron mirë 40 vjetorit të krijimit të Sindikatave Punëtore të Pavarurra Polake Solidarnost, të cilat çuan në rrëzimin e regjimit komunist në Poloni dhe me gjerë. Detyrimi moral i dhënies së ndihmës në kohë pandemie përkon edhe me 100 vjetorin e lindjes së Shën Gjon Pali II si dhe 110 vjetorin e lindjes së shenjtores Nëna Terezë. “Duke përfituar nga rasti dëshiroj t’u shpreh mirënjohjen time të thellë të gjithë atyre që ishin dhe janë ende në vijën e parë të frontit kundër virusit: mjekëve, infermiereve, gjithë personelit shëndetësor, policëve dhe ushtarakëve, por edhe gjithë atyre që u përpoqën të na ruanin ne “në gjendje normale” në këto kohë të jashtëzakonshme- punonjësve të qytetit, telekomunikacionit, OSHE, furnizuesve me ushqime, punonjësve të farmacive, bankave, administratës vendore. Një falënderim i veçantë shkon edhe për gjithë ata që u përpoqën ta mbanin pandeminë nën kontroll të rreptë- qeverinë, ministritë përkatëse, por në mënyrë të veçantë ministrinë e shëndetësisë dhe ndihmës sociale. Përgëzime të mëdha meritojnë gazetarët që kanë ndarë me ne informacionin e besueshëm mbi pandeminë, por edhe të gjithë ata që kanë vënë shpirtin e tyre në të mirë të dialogut politik, fetar dhe ndërnjerëzor.

Uroj sinqerisht që ndihma e mbërritur të mund të përdorej në procedura mjekësore normale dhe të mos ishte më e domosdoshme në kontekstin e COVID-19- përfundon Ambasadori Bachura. Shërbimi zjarrfikës polak që përcolli këtë ndihmë ka qenë më parë në Shqipëri në dhjetor 2019 kur sillte ndihma për të prekurit nga tërmeti tragjik i nëntorit të shkuar. Nga Tirana autokolona e Shërbimit Zjarrfikës Polak do të shkojë në Mal të Zi.