Industria e hotelerisë në Amerikë po zbaton protokolle të reja të kujdesit ndaj pandemisë. Ka ndryshuar ndërveprimi me klientët ndërsa disa prej hoteleve luksoze po tregojnë deri në ç’masë koronavirusi po e modelon konceptin e sigurisë. Pandemia pritet të ndryshojë rutinën e mikpritjes dhe shërbimit në industrinë e hotelerisë. Për klientët e hoteleve amerikane, bufetë e mëngjesit, minibaret e mbushura në dhoma, dhe shoqërimi nga stafi i valixheve apo i automjetit janë thjesht një kujtim nga e shkuara pa koronavirus.

Që prej përhapjes së sëmundjes infektive në vend, pritja në ambientet e godinës luksoze njujorkeze, “4 Stinët”, nis me kontaktin me infermieren, ndërveprimet me stafin janë minimale, ashensorin lejohet ta përdorë vetëm një person ndërsa ndalohet prekja e parmakëve për ata që zgjedhin ngjitjen me shkallë. “Ne u masim klientëve temperaturën, i pyesim për gjëra të ndryshme, a e kanë fytin e acaruar, a kanë siklete. Nëse thonë po, kërkojmë ndihmë, ndryshe u ofrojmë dezinfektantë për duart dhe u ngjitim një etiketë me ngjyrë që ndryshon çdo ditë dhe tregon cilët janë verifikuar,” tregon menaxheri i hotelit të njohur, Rudi Taushwr.

Klientëve të hotelit tani u kërkohet të respektojnë rregullat e distancimit social dhe të përdorin gjerësisht celularët për kërkesat e tyre. Ndërkaq dhomat e përdorura më parë i nënshtrohen një procedure pastrimi treditore. “Nuk hyjmë përditë nëpër dhoma, por kur ndodh, dhoma qëndron e mbyllur për 48 orë. Më pas një firmë e specializuar dezinfekton gjithçka dhe pas 24 orësh ekipi ynë futet për t’u marrë me ndërresat, dhe dhoma bëhet gati e rifutet në inventar,” shton drejtori i përgjithshëm i hotelit.

Përfaqësuesit e industrisë hoteliere në vend thonë se procedurat e reja kundër pandemisë kanë nisur të aplikohen nga muaji i kaluar, dhe megjithëse të shtrenjta financiarisht, janë të nevojshme për vazhdimësinë e këtij sektori biznesi. Standarde dhe protokolle të reja pritet të zbatojnë në të ardhmen e afërt edhe portet detare dhe aeroportet nëpër botë deri në gjetjen e një vaksine. Sipas Këshillit Botëror të Udhëtimit dhe Turizmit, pandemia në këtë sektor rrezikon mbi 100 milionë vende pune dhe një kosto prej 2,7 trilionë dollarë.