Partitë e koalicionit qeveritar në Poloni janë pajtuar për të shtyrë zgjedhjet presidenciale të së dielës për shkak të shpërthimit të koronavirusit. Partia nacionaliste, Ligji dhe Drejtësia ka kërkuar që procesi i votimit të zhvillohet për ta rizgjedhur Andrzej Dudan si president. Mirëpo partia e vogël në koalicion, Marrëveshja si dhe partitë opozitare, kanë thënë se partia në pushtet po vendos politikën përpara shëndetit të njerëzve. Data për mbajtje të zgjedhjeve do të caktohet “sa më shpejt që është e mundur” dhe procesi do të realizohet vetëm përmes postës.
Koha e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve ka shtyrë Poloninë drejt një krize politike, në kohën e pandemisë me koronavirus. Si vëzhguesit ndërkombëtarë, ashtu edhe ata polakë kanë ngritur shqetësime se zgjedhjet nuk do të mund të jenë mjaftueshëm transparente, marrë parasysh se shumë kandidatë kanë pezulluar fushatën për shkak të masave të izolimit, me qëllim të luftimit të sëmundjes Covid-19, që shkakton ky virus. Polonia ka rreth 15,000 raste të konfirmuara dhe mbi 700 pacientë të vdekur si pasojë e këtij virusi. Ndonëse këto shifra janë më të vogla sesa në shumë vende të Evropës Perëndimore, ministri polak i Shëndetësisë ka paralajmëruar se piku i virusit nuk është shënuar ende.
Nën udhëheqësinë e presidentit Duda, Polonia është përballur me ndryshime të mëdha në shoqëri, përfshirë ato në gjyqësor dhe media. Liderët opozitarë shqetësohen se partia e tij është duke synuar fitore për t’i ndihmuar atij në realizimin e këtij programi. Duda ka qenë shumë më para kandidatëve tjerë në sondazhet e fundit. Kundërshtarët e tij thonë se ai ka përfituar nga mbulimi i rregullt në televizionin shtetëror, derisa një gjë e tillë ka qenë e pamundur për garuesit e tjerë.