Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se nga 18 maji, në Kosovë do të fillojë zbatimi i fazës së dytë të lehtësimit të masave të vendosura në kuadër të luftimit të pandemisë së koronavirusit. Kurti tha se ky vendim është marrë pas rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë. “Nga e hëna do të rihpahen këto biznese: floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia, pra varianti ‘merre me vete’, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial, si dhe galeritë dhe muzetë”, deklaroi Kurti.
Ai tha se për shkak të rrezikut nga përhapja e koronavirusit, do të vazhdohet me një orar të kufizimit të lirisë së lëvizjes. Qytetarët do të kenë mundësi që të dalin dy herë në ditë, nga dy orë, varësisht nga numri i fundit në letërnjoftim. Kurti tha se faza e dytë nënkupton hapje të ekonomisë dhe lëvizjes më të shumtë të qytetarëve, që, sipas tij, duhet bërë gjithmonë duke respektuar masat parandaluese dhe duke respektuar distancën fizike. Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vita, tha se qytetarët duhet të vazhdojnë t’iu përmbahen masave dhe rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës. Sa i takon mundësisë së rifillimit të garave sportive, Vita tha se janë zhvilluar takime me përfaqësues të komunitetit sportiv në Kosovë dhe se është bërë e qartë se nuk do të ketë asnjë mundësi që garat sportive të rifillojnë para datës 2 qershor.
Këto komente, Kurti dhe Vitia i bënë në një konferencë me gazetarë në Prishtinë. Faza e parë e lehtësimit të masave në Kosovë ka nisur më 4 maj. Deri më tani, Kosova ka konfirmuar 945 raste me koronavirus; prej tyre 690 janë shëruar dhe 29 kanë vdekur.