Nga Flamur Kuçi/

Ka një tendencë për të argumentuar se mos ndryshimi i sistemit zgjedhor është e vetmja pengesë për të patur një demokraci përfaqësuese funksionale. Pra sipas këtij argumentimi (i cili për mendimin tim është argument banal), nëse do të ndryshonte sistemi, nëse do kishim lista të hapura, atëherë do triumfonte demokracia dhe atëherë demokracia do i zgjidhte hallet e veta…!? Paradoksi është që shpesh herë mbartës të kësaj klithme janë ata që kanë përfituar më së shumti nga keqpërdorimi i listave të mbyllura; kryetarë partish të vogla të futur tinëzisht në listat e partive të mëdha, apo figura anonime që arsyen e vetme të të qenurit në listë e kanë lepirjen ndaj kryetarit.

Debati mbi sistemin është i pasinqertë përveçse defiçent. Nuk ka një sistem prerje të artë apo universal. Sistemet kanë kontekstet e tyre dhe adresojnë aspirata të shoqërive të tyre. Nëse do të kërkohej sinqerisht dhe seriozisht një debat mbi sistemin zgjedhor ai do duhej të paraprihej nga parashtresa analitike që bëjnë profesionistë dhe të shkolluar të fushës të cilët ndihmojnë vendimarrjen më analizën e avantazheve dhe dizavantazheve që prezantojnë zgjedhje të ndryshme dhe me problematikat që adreson secila zgjedhje. Në të kundërt debati kthehet në një banalitet siç e kemi zakon të orjentojmë tema të ndryshme kur vendosim të jemi të gjithë konstitucionalistë popullorë në javën që debatohet mbi kushtetutën, mjekë shkencëtarë popullorë në javën që diskutohet pandemia, urbanistë popullorë në javën që debatohet qyteti, apo trajnerë popullorë të kombëtares së futbollit në muajin e kampionatit European…

Nënteksti ‘me listat e hapura vjen demokracia’ i ngjan pretendimit të një kohe po aq idiote ‘me planin 5 vjeçar vjen mirëqënja’. Ky pretendim budalla po bën dëmin e radhës që një budalla bën zakonisht; shmang vëmendjen nga një diskutim më me rëndësi; Nevoja për reformim e demokraci të brendshme të partive politke.

Partitë politike kanë përgjegjësinë e filtrimit të atyre që kërkojnë të zgjidhen përfaqësues të popullit. Drejtuesit e partive, për shkak se nuk janë e nuk kanë qenë lider, por sundues, e kanë parë jo si përgjegjësi këtë filtrim, por si privilegj. Drejtuesit politikë, për shkak se shpesh herë janë zgjedhur vetë në krye të partive në forma jo demokratike, nuk kanë mbajtur asnjëherë përgjegjësi për çfarë i kanë propozuar popullit për të zgjedhur. Drejtuesit e partive kanë patur shpesh herë kriter të filtrit lepirjen ndaj tyre, agresivitetin ndaj rivalëve të brendshëm, e pse jo, shpesh herë edhe interesin personal financiar duke shitur mundësinë e kandidimit. Drejtuesit nuk kanë patur filtër demkoracinë e brendshme. Për këtë shkak ata ia kanë dalë të mos mbajnë asnjëherë përgjegjësi për kualitetin, në fakt banalitetin, që i kanë propozuar popullit për të votuar.

Ky është thebi i problemit. E këtë thelb synon të shmangë një debat shterp mbi gjoja lumturinë që do na sjellë ndryshimi i sistemit apo listat e hapura. Partitë politike në Shqipëri nuk janë përfaqësuese, nuk janë demokratike, nuk janë funksionale. Ato duhet të mbajnë fillimisht përgjegjësi për çfarë kanë kandiduar. Ato nuk duhen amnistuar duke hapur debate që çojnë uje në mullirin ‘fajin e ka sistemi’.

Jo. Fajin nuk na e ka sistemi. Fajin e kanë drejtuesit e partive politike. Në 2013 ata i propozuan popullit disa përfaqësues të krimit të organizuar që t’i zgjidhte si përfaqësues të tij. Kur u detyruan nën presionin ndërkombëtar t’i nxirrnin disa prej tyre jashtë kuvendit, në 2017 ishin ata drejtues politikë që i propozuan popullit anonimë, analfabetë, injorantë dhe njerëz tipikë apolitikë, në mënyrë që vetë drejtuesit të shkëlqenin mes tyre dhe të siguronin mbijetesën e tyre.

Ky është produkt i mungëses së demokracive të brendshmë, jo produkt i listave të mbyllura. Produkti tjetër mungesës së demokracisë së brendshme janë shizmat apo partitë e reja poltike që dalin nga partia mëmë.

Njësoj, partitë tradicionale janë komode më çdo shizëm që ka prodhuar mungesa e demokracisë së brendshme në parti. Shizmat çlirojnë presionin ndaj tyre, presion që do t’i detyronte të reformoheshin. Partitë nuk janë kompani private. Janë interes publik. Demokracia e brendshme e partisë nuk është ‘çështje e brendshme’. Është interes publik. Është provuar tashmë që shizmat nuk prodhojnë politikë. Partitë e reja që krijohen zakonisht pak para zgjedhjeve nuk adresojnë hallin e publikut për përfaqësim, por veç hallin e kryetarit të partisë së re për t’i bërë pak presion partisë mëmë dhë për t’u futur në listën e partisë. Koha ka treguar madje që shizma të tilla janë rikthyer edhe të ‘penduar në gjirin e partisë’ madje duke u përdorur në luftë ndaj kritikëve. Paradoksi është që shpesh pikërisht këta, në nevojën e tyre të lëpirjes, kanë dhënë edhe dëshmi besnikërie duke konsideruar kritikën e të tjerëve ndaj sundimtarëve si ‘gurë’ që gjuajnë shtëpinë.

Ashtu sikundër ‘listat e hapura’ edhe ‘shizmat’ apo partitë e reja dëmtojnë thelbin e presionit për të reformuar partitë politike, amnistojë sundimtarët e partive në përzgjedhjet e tyre dhe çojnë ujë në interesin personal të këtyre sunduesve duke u pastruar terrenin e sundimit të tyre.

Kjo është arsyeja se pse partitë e mëdha nga njëra anë nuk futen në debatin mbi sistemin e listat e hapura, dhe nga ana tjetër janë të pashqetësuara nga shizmat e krijimi i partive të reja. Sunduesve të partive u intereson që të ‘lulëzojë’ debati mbi sistemin dhe listat. U intereson edhe ‘shkelja e syrit’ apo ‘tolerimi’ i shizmave. Kështu ata shmangen nga presioni që duhet të ushtrojë shoqëria për reformimin e vetë partive politike.

Nëse ka vullnet të sinqertë për forcimin e demkoracisë dhe përfaqësimit fokusi duhet të jetë presioni për reformim të partive. Ky presion nuk jep rezultat të shpejta, por jep rezultat më të saktë. Çdo devijim, vetëm e redukton këtë presion duke i dhënë oksigjen sundimit të drejtuesve të partisë dhe zgjat agoninë e demokracisë sonë.