Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi se gjatë një bisede të zhvilluar me ambasadorin e Bashkimit Europian në vendin tonë, Luigi Soreca diskutoi mbi tejkalimin e situatës së emergjencës të krijuar nga pandemia COVID-19 dhe se si rimëkëmbja ekonomike të jetë sa më e shpejtë.

Në kuadër të Javës Europiane, informoi Denaj, “diskutova me përfaqësues të Delegacionit Europian në Tiranë dhe ambasadorin Soreca mbi situatën e krijuar për shkak të pandemisë COVID-19”.

“Komisioni Europian e ka ndihmuar Shqipërinë prej kohësh, por gjatë këtij viti, ne shprehim një mirënjohje të madhe, pasi mbështeti Shqipërinë në Konferencën e Donatorëve dhe më pas me ndihmën e konsiderueshme që i është dhënë në të gjitha aspektet, si në atë shëndetësor edhe atë financiar. Por mbi të gjitha me lajmin e pritur prej kohësh, atë të hapjes së negociatave”, deklaroi ministrja Denaj.

Denaj theksoi se me delegacioni europian synojmë që në një kohë optimale të realizojmë të gjitha detyrat e vendosura për qeverinë shqiptare e në veçanti ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

“Me 13 kapituj që kanë nisur rrugëtimin e tyre të negiociimit prej disa muajsh, jemi duke intensifikuar këtë proces për të përafruar legjislacionin e Shqipërisë me atë të Bashkimit Europian”, tha Denaj.

Në tejkalim të situatës së emergjencës, Denaj tha se me përfaqësuesit e Delegacionit diskutuam se si kjo rimëkëmbje ekonomike të jetë sa më e shpejtë, e plot dhe në përputhshmëri për nevojat e tregut.

“I bashkohem sloganit të Delegacionit Euopian “Stronger together” për të realizuar atë objektiv që Shqipëria, por edhe të gjithë vendet e Ballkanit Perëdimor kanë synuar prej kohësh, për një të ardhme më të mirë të qytetarëve të tyre”, shtoi Denaj.