Gjetja e sulmuesit ideal është gjëja më e vështirë dhe më e shtrenjtë në botën e futbollit. Si do të dukej “portreti robot” i sulmuesit më të mirë e të përsosur në një botë imagjinare? “Marca” e ka shtruar këtë pyetje dhe ka përftuar “9” më të mirë në histori.Cilësitë që një sulmues duhet të ketë, sipas mendimit të Julio Maldonado janë këto: fuqia, shpejtësia, eleganca, e majta, e djathta, goditja me kokë, oportunizmi, instinkti i finalizimit dhe personaliteti.Duke u bazuar në këtë “ariktekturë”, ai ka zgjedhur pak nga të gjithë, aftësi të Ronaldo Nazario, Messi, Mbappé, Santillana, Cristiano Ronaldo, Van Basten, Jamie Vardy, Torpedo Müller dhe Gary Lineker.
Fuqia e Ronaldo Nazario “Braziliani Ronaldo ishte një lojtar unik. Nuk kam parë një futbollist tjetër, i cili, duke filluar aksionin nga një pozicion larg portës kundërshtare, të jetë aq shkatërrues dhe aq i freskët kur arrin në zonë, sa Ronaldo te PSV, Interi, Real Madridi dhe Brazili i vitit 2002… Ronaldo Nazario është fuqia e personifikuar”.
Jamie Vardy dhe shpejtësia e tij. “Shpejtësia e madhe për të luajtur në hapësirë, për të triumfuar në duelet një kundër një, është thelbësore. Për shembull, Jamie Vardy, sulmuesi i Leicester, i cili ishte determinant në titullin kampion të këtij ekipi, që drejtohej nga Ranieri”.
Eleganca e Marco Van Basten “Sulmuesi më elegant që kam parë ndonjëherë është holandezi Marco Van Basten. Eleganca shpesh nuk shërben për të qenë më i miri, por për t’u shijuar më shumë se të tjerët në futbollin si shfaqje. Ai ishte si një lloj balerini i përhershëm në zonën. Megjithë madhësinë trupore, holandezi pati një kapacitet unik për të na bërë ta shijojmë fort futbollin e tij”.
Këmba e majtë e Leo Messi “Këmba e majtë më e mira është ajo e Messit. Kjo këmbë do t’i shkonte më së miri sulmuesit të përsosur. Nga goditjet e lira, me të majtën ka shënuar shumë gola, sikurse bën magji në driblim, në aspekte të tjera të lojës. Këmba e tij e majtë është e padiskutueshme”.
Këmba e djathtë e Mbappé Sulmuesi francez i PSG mund të ishte mjaft afër fuqisë dhe shpejtësisë së Ronaldo Nazario, por mbi të gjitha për këmbën e djathtë. Le të themi se kjo e djathtë do të ishte ajo e sulmuesit të përsosur”.
Koka e Santillana “Lojtari i Real Madridit, Carlos Santillana, luajti në një nga skuadrat më të shkëlqyera në historinë e futbollit. Ato foto, që e tregojnë të varur në ajër, duke finalizuar me kokë, janë antologjike. Cristiano është gjithashtu i mirë në kokë, por specialisti i shkëlqyeshëm ishte Santillana”.
Torpedo Müller dhe oportunizmi i tij “Një nga virtytet e “9” është të jesh një sulmues i zonës së vogël, i atyre sulmuesve që janë gjithmonë atje. Dhe në këtë rast unë zgjedh gjermanin Torpedo Müller. Ai gjithmonë shfaqej në momentin e duhur për të realizuar golin. Vetë Müller tha se kurrë nuk shënoi një gol të bukur, të gjithë ishion të shëmtuar, sepse ishte aty ku duhej, për ta shtyrë topin në rrjetë. Ky është instinkti i qendërsulmuesit perfekt, sepse ai shënoi gola në të gjitha ndeshjet e rëndësishme në këtë mënyrë”.
Lineker dhe instinkti i tij i finalizimit “Më i shpejtë se të tjerët ishte Gary Lineker. Rezultati më i mirë i tij ishte Kupa e Botës ’86, si një sulmues i bujshëm në çdo centimetër të zonës”.
Personaliteti i Cristiano Ronaldos “Eshtë një vlerë e padiskutueshme personaliteti i një sulmuesi dhe nëse më duhet të zgjedh një të tillë, preferoj Cristiano Ronaldon. Portugezi gjithmonë ka ditur ta tërheqë ekipin. Ai ka aftësinë të shkëlqejë vetë, të tregojë “dhëmbët” kurdo, të motivojë edhe të tjerët”.