Nga Ilir Yzeiri
Sot, ndërsa isha duke shkruar diçka për romanin “Koncert ne fund të dimrit”, mora vesh vdekjen e Maks Velos.
Maksin e kam njohur nga afër, kam ndenjtur disa herë me të. Ne vitin 2000 kam shkruar nje artikull në gazetën “Shekulli” për librin e tij “Kohë antishenjë”. Maks Velo mund te quhet me plot kuptimin e fjales artist.
Ai jetonte vetëm me artin, fliste për të, ndiqte çdo aktivitet artistik në Tiranë. Nuk kishte asnjë ushqim tjetër për të veç artit. Ishte mjeshtër i grafikës dhe i ngjyrës së zezë, i njollës dhe i shenjës grafike. Ishte po ashtu shkrimtar.
Por ishte edhe shumë kërkues nga ambienti ku jetonte. Ishte i panënshtruar në shpirt dhe ngrinte zërin me forcë.
La shumë vepra pas. Libra po ashtu. Pati një jetë të vështirë. Provoi burgun. Bashkëshortja dhe vjehrra e patën denoncuar.
Ai ishte tragjedi e gjalle, por e mbante veten se ushqehej vetëm me art. Ishte kundër islamit radikal dhe një kristian pasionant.
Udhëtinte shumë, sidomos ne Korçë, por vinte qe andej i mërzitur disa herë, kur shihte si ishte deformuar arkitektura apo pamja e qytetit.
Ai ishte një këmbanë alarmi për çdo dallkaukllëk që bëhej në hapësirat publike. Kishte shumë pasion për jetën dhe e donte atë.
Jetoi me shumë dinjitet dhe mbeti deri në fund vetëm artist. Më duket se Galeria Kombëtare nuk ka ende një punë të tij.
Lamtumirë Maks Velo!