Qeveria britanike do ta japë pëlqimin gjatë kësaj jave për rifillimin e sezonit 2019/20 në Premierligë më 12 apo 13 qershor, sipas mediave në vend.
Kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson do t’i zbulojë sot në Parlament hollësitë e udhërrëfyesit për të dalë nga izolimi, ndërsa gazeta zyrtare me vendimet për sportet elitare do të publikohet të martën, transmeton Gazeta Express.
Sipas gazetës Telegraph, qeveria ka vendosur ta japë dritën e gjelbër për rikthimin e sporteve elitare muajin e ardhshëm, përfshirë Premierligën më 12 qershor, nëse plotësohen kushtet e sigurisë dhe rastet me koronavirus nuk rriten.
Klubet e Premierligës do të takohen gjatë kësaj jave për të biseduar rreth planit për zhvillimin e ndeshjeve në terrene neutrale, i cili po kundërshtohet nga disa prej tyre.
Por liga elitare angleze po bën trysni për rifillimin e sezonit dhe planifikon rifillimin e stërvitjeve nga e hëna e ardhshme si pjesë e një periudhe katër javore para se të rifillon sezoni më 12 apo 13 qershor.
Masat do të jenë të rrepta për mbajtën e higjienës dhe mbajtës së distancës në qendrat stërvitore dhe ndeshjet do të luhen pa praninë e shikuesve në stadiume, me vetëm 300 njerëz të pranishëm.