Një nga bomberat më të mëdhenj në historinë e Milanit, me golin në gjak dhe një dashuri të madhe për ngjyrat kuqezi, nuk e harron kurrë Italinë. Andriy Shevchenko kthehet të flasë për “Djallin” dhe e bën këtë duke njoftuar një dëshirë të madhe: të kthehet në “San Siro” për të stërvitur klubin, që e bëri atë një futbollist të shkëlqyeshëm .
Duke folur gjatë një Instagrami të drejtpërdrejtë, në profilin e Carlo Pellegatti, trajneri aktual i Ukrainës nuk e fsheh ëndrrën e tij: “Një ditë dua të kthehem në Milano si trajner. Milani mbetet gjithmonë në zemrën time, kam dashuri të madhe për tifozët e tij. Le ta shohim kur dhe nëse do të ndodhë, por një nga qëllimet e mia është të kthehem te kuqezinjtë si trajner. Tani për tani jam duke menduar vetëm për Ukrainën. Jam i përqendruar vetëm në detyrën e trajnerit të ekipit kombëtar”.
Në mesin e shumë “bëmave”, që tifozët kuqezinj kujtojnë prej tij, është ai gol i shkëlqyeshëm, i shënuar ndaj Juventusit nga një pozicion i pamundur. Sipas shumë njerëzve, një goditje e vërtetë prej gjeniu. “Doja të godisja dhe e bëra. Shënova dhe kjo konsiderohet gjë e mbyllur”, – kujton me modesti ukrainasi.
Shumë “bëma”, por edhe disa zhgënjime të forta, siç është ajo natë makthi në Stamboll: “Te penalltia gabova, por lëvizjet e Dudek ende më çmendin. Unë ende nuk e kuptoj se si arriti ta priste atë top. Më ka mbetur si një makth ajo ndeshje, as dua ta shoh më”.