Nga Artur Ajazi
“Nuk jemi larguar kurrë nga tryeza e Reformës Zgjedhore. Qeverisë i ka munguar vullneti për propozimet tona, kemi gati propozime të tjera, nëse qeveria është e sinqertë s’ka pse të presë, jemi gati që nesër për të përfunduar një orë e më parë Reformën, për ti dhënë shqiptarëve një qeveri legjitime që të kujdeset për fatin e tyre”. Kjo ka qenë deklarata më e fundit e kryetarit të PD-së zotit Basha, lidhur me afrimin dhe largimin e përfaqësuesit të tij nga tryeza zgjedhores. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka qenë i detyruar të reagojë në lidhje me deklaratën e kryetarit të tryezës për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, i cili deklaroi pas mbledhjes online se “do ti kërkojë zyrtarisht opozitës që Këshilli Politik të rifillojë javës tjetër dhe nëse nuk duan të vijnë është vendim i tyre”. Por Lulzim Basha u shpreh se “opozita nuk është larguar kurrë nga tryeza dhe se jemi të gatshëm që ta përfundojnë Reformën”, ndërkohë që komisarët e partisë tij, kanë shprehur mendimin (ose më mirë kushtin e ri) se “ne nuk ikim me Ramën në zgjedhjet e reja, duam një qeveri kujdestare, për ta çuar vendin në dy palë zgjedhje të parakohshme”.
Një tjetër kusht i Lulzim Bashës për uljen në tryezën e zgjedhores mbetet edhe “reformimi administratës zgjedhore, apo dhe formula e re e financimit të partive”, gjë të cilën e ka diskutuar edhe me “aleatët” e tij më besnikë, të thirrur dy ditë më parë në SHQUP. Ndoshta kaq është dashur që faktori ndërkombëtar të lëvizë, dhe përmes ambasadorëve në Tiranë, të nisë “çokitjet” ndaj Lulzimit dhe të tijëve, duke kërkuar përgjegjshmëri politike dhe patriotike, ndaj vendit dhe popullit të tyre. Ecejakjet e shpeshta dhe të pamotivuara të komisarit të Lulzim Bashës, njeriut të caktuar për të marrë pjesë në tryezën e zgjedhores, daljet e tij me kërkesa të reja, gjithmonë kur paracaktohet data e mbajtjes së takimit, tregojnë papjekuri politike, të një partie që kurrsesi nuk do të bëjë nga e para Reformën Zgjedhore. E kupton ç’po thua dhe ç’po bën Lulzim, e kupton sa qesharak po bëhet i deleguari yt, tek bën “të rëndësishmin” me Damian Gjiknurin dhe pastaj kur troket në derë ambasadori Britanik, bie “squk”, e pranon gabimin. Tri nga çështjet kryesore ku Këshilli Politik, me të gjithë përfaqësuesit e partive politike nuk kanë gjetur dakordësinë, ishin “qeveria tranzitore para zgjedhjeve, reformimi i administratës zgjedhore dhe financimi i partive politike në fushata zgjedhore”. Në lidhje me qeverinë tranzitore, përfaqësuesi i maxhorancës, Damian Gjiknuri, është shprehur më herët se “ajo i tejkalon kompetencat e Komisionit të Reformës Zgjedhore”, kurse lidhur me administratën zgjedhore, ai ka sygjeruar ti drejtohen ekspertëve të OSBE-së për të bërë formulimin e nenit. Por Lulzim Basha, ka vajtur edhe më tej, pasi në takimin e fundit me “aleatët” ai ka diskutuar lidhur edhe me “axhendën politike” të ish-opozitës. Basha i ka porositur kryetarët e partiçkave, “të nisin takimet me strukturat e tyre (ku janë strukturat se nuk i shohim gjëkundi) për t’u përgatitur për zgjedhjet e reja, duke mos anashkaluar edhe protestat”. O Lulzim, ndaje mëndjen, je për Reformën e re Zgjedhore, për listat e hapura, për protesta, për qeveri kujdestare, apo për diçka tjetër, sepse të gjitha njëherësh nuk i mban, dhe nuk i bën dot ti. Fakti është se një Reformë e re Zgjedhore, e nxjerr Lulzim Bashën jashtë funksionit të tij ,dhe dobëson ndjeshëm efektivitetin e ndikimit që ai ka mbi strukturat dhe forumet e asaj partie.