Çfarë do të bëje ti nëse bashkëshortin do të ta kishte zgjedhur familja pa të pyetur?!

Seriali i javës për të cilin do të flasim këtë javë, prek tema të tilla sociale që na duken sikur janë shkëputur edhe nga pjesë të hidhura të realitetit shqiptar, por flasin për një komunitet hebre që edhe pse jeton në mes të Amerikës, vijon të ruajë ato traditat dhe rregullat e ashpra që shkelin lirinë e kujtdo, veçanërisht të grave.

“Unorthodox” bazohet në librin me kujtimet më të shitura për vitin 2012 nga Deborah Feldman, (histori personale), e cila la sektin Satmar të hebrenjve në Williamsburg dhe u vendos në Berlin.

Feldman u këshillua me krijueset e miniserialit të Netflix, – Anna Winger, e cila shkroi dramën televizive “Deutschland 83”, dhe Alexa Karolinski, një krijuese filmash dokumentarë; për t’u siguruar që përshkrimi i komunitetit hebre të ishte sa më i saktë që të ishte e mundur.

Dhe historia që përcjell Netflix përmes 4 serive, është kaq reale dhe e vërtetë saqë do t’ju bëjë të reflektoni për lirinë tuaj.

Historia që tërheq!

Ndërsa ishte ende 19-vjeçe, Esty (Shira Haas) martohet me Yanky-n (Amit Rahav) – pasi ishin takuar vetëm një herë të dy dhe atë ditë nuk ishin as vetëm. Por ajo nuk është një vajzë si të gjitha të tjerat dhe këtë ia thotë Yanky-t që në takimin e parë. Ai e pranon, duke u shprehur se të jesh ndryshe është një gjë pozitive, por pasojat do t’i shohë më vonë!

Një nuse 19-vjeçare si Esty në një martesë me mblesëri, jo si ajo që mund të ëndërronte, e gjen veten duke thyer rregullat e ashpra të komunitetit të saj dhe udhëton drejt Berlinit, për të kërkuar nënën që ishte larguar gjithashtu nga bashkëshorti i saj alkoolik duke e lënë Esty-n të vogël.

“Unorthodox” përshkruan me detaje, mënyrat me të cilat monitorohet dhe kufizohet jeta e kësaj adoleshenteje. Mjafton të përmendim një ritual për të vërtetuar që është ende e virgjër, për të parë se në çfarë bote jeton Esty dhe pse u largua prej saj!

Ajo kontrollohet përmes vaginës (një procedurë e dhimbshme fizikisht dhe mendërisht) për të parë nëse është “e pastër” për bashkëshortin dhe aty diagnostikohet me vaginismus, një gjendje që të krijon dhimbje sa herë që kryen marrëdhënie.

Kur martohet, Esty tenton për një kohë të gjatë për të mbetur shtatzënë dhe kur arrin të mbetet, ajo e kupton që foshnja, sado e bekuar të jetë në mesin e komunitetit dhe familjes, do të ketë të njëjtin fat të keq!

Kur gjen lirinë!

Emocione të vërteta do të përjetoni kur Esty largohet drejt Berlinit dhe sheh dhe provon gjëra që deri dje nuk i lejoheshin! Me të mbërritur në Berlin, Esty takon rastësisht një grup muzikantësh të talentuar dhe dëgjon provat e tyre. Si një muzikante, Esty shpërthen në lot nga performanca dhe bëhet e vendosur të ndjekë pasionin e saj për muzikën, pasi hoqi dorë nga pianoja kur u martua me burrin e saj, Yanky.

Por kur bashkëshorti i saj të mësojë se ajo është shtatzënë, ai i vihet pas bashkë me një të afërm për ta gjetur dhe rikthyer në SHBA me çdo kusht.

Ngjarja histori e vërtetë?

Sot, Esty e vërtetë, autorja e librit, është 33 vjeç. Deborah Feldman lindi në 17 gusht 1986 dhe u rrit me tradita të komunitetit hebre në Brooklyn, New York.

Grupi hebre të cilit ajo i përkiste u formua nga një Rabin nga Satmar, Hungari, pas Luftës së Dytë Botërore dhe duke përshkruar përvojën e saj, Deborah ka thënë se “çdo rregull që ata hartuan ishte një interpretim ekstrem i një ligji hebre”.

Ajo gjithashtu foli për rregullat e rrepta të veshjeve për New York Post, duke thënë: “Kur isha 11 vjeç, ata ndryshuan rregullat e veshjeve. Ne mund të vishnim një bluzë me mëngë të gjata dhe golf”.

“Tani mund të veshim vetëm golfe me pëlhura të endura, sepse teoria e tyre është se bluzat e endura nuk ngjiten pas trupit”.

Në kujtimet e saj, Deborah flet për mënyrën sesi ajo dhe burri i saj nuk e konsumuan martesën e tyre për një vit.

Ajo vuante nga vaginismus, një gjendje që e bën tepër të dhimbshme seksin, dhe është përballur me një presion të madh nga burri dhe komuniteti i saj.

Në një intervistë për ABC News, Feldman e përshkroi përvojën si “viti më poshtërues i jetës sime”.