Vendet dhe grupet e njerëzve janë më të ndikuarit nga ndryshimet dhe transformimet e tyre sesa nga vijimësia e ndryshimeve. Por ata akoma arrijnë të bazohen te matricat e identitetit aq të vjetra sa është dhe imagjinata e tyre falë aftësive për të punuar, për të ndarë rolet, si dhe për të organizuar jetën së bashku në shtetin e tyre.

Në ekonomi, për shembull, ndarja e punës mund të funksionojë vetëm nëse të gjithë mund të hyjnë në një treg të përbashkët. Një vend nuk mund të specializohet në prodhimin e makinave ose nxjerrjen e naftës, përveç faktit kur te ketë siguruar furnizimin me bazën ushqimore nga vende të tjera që i garantojnë këtë siguri ushqimore. Përndryshe është i detyruar te merret me garantimin e mallrave dhe shërbimeve bazë.

Kjo lidhje midis vendeve mund të sigurohet nga njëra anë duke krijuar lidhje midis grupeve dhe nga ana tjetër duke standardizuar zakonet dhe praktikat e tyre. Në të vërtetë, lidhjet madje mund të formohen edhe midis armiqve të betuar. Lufta gjithashtu mund të gjenerojë lidhje sociale shumë të qëndrueshme.
Çdo shoqëri ka modelin e vet të regjimit politik dhe e ka të vështirë të kuptojë dhe të respektojë modelet politike të vendeve të tjera.

Sidoqoftë, sot është vendosur kudo një model i vetëm regjimi politik. Rajoni, Europa është shtëpia e 45 shteteve sovrane, të cilat ndajnë protokolle diplomatike dhe rregullore ndërkombëtare.

Qeveritë e Evropës janë të gjitha të ngjashme, por qeveritë ballkanike janë të pavëmendshme ndaj aktualitetit, prandaj janë unike, sepse ato harrojnë atë përbërës (recetë) specifik të paketës politike që i jep shijen të qeverisurit sipas historisë dhe aktualitetit.

Ato gjithmonë kanë tentuar për t’i arritur synimet e tyre duke mos pranuar parimet themelore të rendit politik global.

Asnjë grup politik që nuk i njeh parimet e politikës globale nuk ka marrë deri tani kontroll të qëndrueshëm të një entiteti të rëndësishëm territorial.
Aq sa mund të kenë aftësi për ta bërë shiun të bjerë, po aq aftësi kanë edhe kur bëhet fjalë për ekonomi. Pavarësisht se cilën politikë ekonomike zgjedh një lidership me nivel mediokër dhe i rrethuar nga korrupsioni, ai gjithmonë mund të gjejë arsyetimin për të shmangur vëmendjen nga mungesa e arritjeve te premtuara.

Sistemi i ekspertëve që nxjerrin konkluzione nga studimi dhe kërkimi ndihmojnë për të kuptuar më mirë ecurinë e sistemit ekonomik, për t’i parë gjërat nga një këndvështrim tjetër dhe për të reflektuar në zgjidhje të mundshme. Por, nuk ka rëndësi se cila është zgjidhja, nëse gjithmonë gjendet një justifikim i vlefshëm për të drejtuar vendin duke shtyrë muajt me ide që lindin dhe gjenerohen jashtë sistemit dhe politikës ekonomike për zhvillim të qëndrueshëm.
Pasi ka një të vërtetë të madhe që na thotë fort, se ekonomia e sotme nuk mund të ndahet në socialiste, demokrate, apo ortodokse, myslimane, kristiane. Ka vetëm një ekonomi dhe është ekonomia e tregut të lirë.

Teoritë moderne ekonomike janë shumë më të rëndësishme se dogmat tradicionale politike, aq sa është praktikë e zakonshme të interpretohen edhe debatet mes tyre në terma ekonomikë. Ndërsa askush nuk mendon të bëjë të kundërtën, debatet ekonomike mbi politikën.

Në kohën e sotme duke e dorëzuar një pjesë sovraniteti nëpërmjet anëtarësimeve në organizata politike dhe ekonomike ndërkombëtare duket se është krijuar perceptimi se rreziqet e jashtme nuk e rrezikojnë dot këtë model shteti që është ndërtuar në këto dekada.

Mirëpo nëse një ditë rreziqet shtohen dhe mbërrijnë te dera, atëherë është domosdoshmëri të jemi gati me përgjigjet e nevojshme.
Kjo do të thotë t’u jemi përgjigjur pyetjeve që shtrohen lidhur me proceset e modernizimit të shpejtë dhe efektiv ndaj konkurencës rajonale, ndërtimin e një shteti burokratik të fuqishëm që mbështetet në shkencë dhe inovacion, një ekonomi kapitaliste me teknologjitë e përparuara, si dhe paketa shpëtimi për të mposhtur opsionet qe mund të na kërcënojnë si vend.

Megjithatë, të ndërtosh një ekonomi për të ulur rreziqet, si dhe të drejtosh një brez nuk mjafton të kopjuarit verbërisht të modeleve perëndimore.

Për fat të keq, ekonomia është lënë në dorë te kopjacëve.

Në këto dekada kjo qasje ka krijuar mjaft humnera në financat dhe zhvillimin konkurues të ekonomisë shqiptare. Gjithshka e kopjuar në këto vite ashtu si e kemi parë dhe pësuar ka qenë e vendosur keq dhe jo për të mbrojtur identitetin tonë të veçantë dhe për t’u imunizuar ndaj rreziqeve për ruajtjen e integritetit të mbetur.

Në vendet ku kanë ndjekur një model të bazuar mbi traditat dhe në përshtatjen e ekonomisë dhe njerëzve me teknologjinë, me dijen e përparuar dhe besimin te lidershipi, gjithshka ka funksionuar si magji.

Japonezët u modernizuan me një shpejtësi marramendëse gati 1 shekull më parë. Njëkohësisht zhvilluan më tej një besnikëri fanatike ndaj shtetit të tyre të ndryshuar. Simboli më i njohur i suksesit të shtetit është fakti që japonezët ishin të parët që zhvilluan dhe përdorën teknologji precize.
Po kështu, norvegjezët duke përdorur burimet natyrore te ndërthurur me teknologjinë dhe dijen janë një ndër vendet e zhvilluara ekonomike në Evropë. E gjithë kjo ka ndodhur këtë gjysmë shekullin e fundit.

Të dy këto vende nuk kanë qenë aq të hapur ndaj ekonomisë dhe tregut.
Sot, pak a shumë me vetëdije apo jo, shumë qeveri ndjekin shembullin japonez apo norvegjez. Ato adoptojnë mjetet dhe strukturat universale të modernizmit, dhe në të njëjtën kohë mbështeten në fetë tradicionale për të ruajtur një identitet specifik kombëtar.

Mbase kjo vlen të studiohet nga ekspertët dhe studiuesit shqiptarë për të përcjellë ide dhe komente, që qeveritë ti përdorin, në konkurencë me programet politike dhe ekonomike, qe ne fakt vijnë nga modele të kopjuara keq dhe pa u thelluar në realitetin e vendit tonë.