Nga Alfred Peza
Ekziston një kulturë publike në Shqipëri, që i bën disa njerëz të gëzojnë një status special, për shkak të një aftësie të jashtëzakonshme dhe specifike: Ata vetë nuk bëjnë kurrë, asnjëherë asgjë në jetën e tyre! Janë nga ato që nuk u ka thënë askush, asnjëherë; “puna e mbarë”, me një fjalë! Por ama natë e ditë, vetëm përflasin e komentojnë, gjithë të tjerët që punojnë dhe gjithçka të re që projektohet e ndërtohet.
Është një kulturë me rrënjë të vjetra otomane që bazohet tek parimi: “Unë nuk bëj asgjë vetë, por nuk të lë as ty të bësh. Sepse kështu ti, më nxjerr zbuluar mua!” Me një fjalë, përfaqësues të saj janë të gjithë ata që për të justifikuar dembelizmin dhe paaftësinë e tyre të përjetëshme, e kanë fare kollaj që të bëjnë pis me fjalë e intriga gjithkënd tjetër. Sepse ata e kanë më për mbarë, që të mos lejojnë krijimin e shembujve kontrastues, sesa të punojnë vetë.
Kjo kulturë vijon të lulëzojë edhe sot e kësaj dite, në Shqipërinë e psotkomunizmit, përmes një shtrati të ri. Pjesë e saj janë jo vetëm individët që i njohim nëpër lagjet, fshatrat apo qytetet tona, të cilët marin nëpër gojë të gjithë që arrijnë të krijojnë me punë e djersë vlera të reja, për familjet e tyre. Por edhe me ata që ndërtojnë vepra publike, e sjellin modele suksesi dhe zhvillimi, për komunitetin e shoqërinë.
E bukura është se jo në pak raste, personazheve të tillë u hapet rruga, sepse askush nuk do që të futet në gojët e tyre. Kjo i bën që të kënë sukses, të lulëzojnë e mbrothësohen, si mjeshtër të asgjësë. Duke qenë njohës të mirë të psikologjisë popullore shqiptare, ata kanë ditur gjithmonë që të përdorin njëmijë e një marifete, për të manipuluar opinionin rreth e rrotull vetes, e deri edhe atë publik.
Po si ia dalin? Ja ashtu siç e dimë të gjithë: Duke përfolur, linçuar, denigruar, bërë pis me baltë e shpifur për shumëkënd deri në atë pikë, sa ia kanë dalë me sukses që ti dekurajojnë. Të ndërpresin a lënë në mes shumë ëndrra. Duke minuar e sabotuar shumë projekte. Apo duke shtyrë pa u ndalur drejt dështimit, shumë vepra. E në fund, ata që duhej të ishin heronjtë kanë marë damkën e dështakut. Ndërsa simboli i dështimit vetë, ka vendosur mbi kokë, kurorën e parashikuesit perfekt.
Fatkeqësia nuk fshihet brenda këtyre individëve, një pjesë e të cilëve, herët ose vonë duke qenë bulmezë, e gjëjnë në mos hundëleshin e merituar, rrugën e sigurtë drejt humbjes. Për të mos e ngritur më kokën kurrë. Por e keqja më e madhe është se ky mentalitet dhe kjo qasje, është bërë tashmë, një mënyrë mbijetese politike për një pjesë jo të vogël të lidershipit tonë opozitar. Duke rrezikuar nesër, që të kthehet në sistem “vlerash”, e të mos e lërë gjithë shoqërinë të ecë përpara.
Ka prej tyre që janë të shquar e të njohur publikisht, për aftësinë e rrallë që duke mos bërë asgjë kur kanë qenë në pushtet, kanë lulëzuar e janë lartësuar pa u ndalur deri në majat e partive. E tani kanë aq qasje në hapësirën publike, sa nuk duan që të lenë as kundërshtarët e tyre politikë, të bëjnë punë e vepra publike. Sepse përndryshe, do dalin vetë në dritë të diellit, siç janë në të vërtetë: Të paaftë!
Kjo qasje është parë jo vetëm kundër biznesit të rregullt e të suksesshëm në Shqipërinë e këtyre 30 viteve, por edhe sa herë që ndonjë kryetar bashkie, ministër, Kryeministër a qeveri, ka investuar në projekte zhvillimi që sjellin impakte aq të mëdha e të dukshme publike, sa është e vështirë që të mos sjellin për rrjedhojë, edhe suksese politike apo elektorale në të ardhmen.
Le të mos shkojmë shumë larg në historinë e këtyre dekadave të fundit. Por le të përmendim; Parkun e Lodrave për fëmijë te Liqeni Artificial, Arenën Kombëtare të Futbollit, Sheshin “Skënderbej”, projektin e Pazarit të Ri, Bulevardit të Ri tek ish Stacioni i Trenit, Unazës së Madhe tek Astiri e për të ardhur deri tek projekti i ndërtimit të godinës së re, të Teatrit Kombëtar të Tiranës.
Në të gjitha rastet opozita i ka sulmuar, duke kërkuar me çdo çmim që ti pengojë. Për ti shijuar më pas, me familjarët e tyre, kur kanë përfunduar! Ndërkohë që kanë qenë duke u përgatitur për të penguar, projektin e radhës…. Por, siç e thashë që në fillim, kjo nuk është një qasje e re në Shqipëri. Ndaj po ju ofroj në fund, një pasazh nga kujtimet e Eqrem Bej Vlorës, për ngjarje konkrete të ndodhura këtu e 130-140 vite më parë. Për të kuptuar, se asgjë nuk ndryshuar nga atëherë, fatkeqësisht!
KUJTIME/ “Si e sabotuan shpifësit projektin për modernizimin e bujqësisë në vitin 1888”
Babai karakterizohej nga një energji e pabesueshme dhe një veprimtari e pandërprerë. Ai nuk mund të rrinte kurrë pa punë. Çdo ditë sajonte diçka të re, u kthehej problemeve të reja. Midis projekteve të tij të zhvillimit, do të doja të theksoja sidomos përpjekjet për modernizimin e bujqësisë. Metodat e punimit të tokës në Shqipëri ishin tmerrësisht të prapambetura.
Ndaj, në vitin 1888 ai solli nga Kalabria një grup prej 22 familjesh arbëreshe që dinin shqip dhe i vendosi në çifligun e Skrofotinës. Ata duhet të ndërtonin një ekonomi model, prej së cilës fshatarët shqiptarë do të merrnin arritjet e agroteknikës moderne. Por të shpëngulurit nuk ndenjën më shumë se tre vjet.
Autoritetet turke në Janinë dhe Stamboll, të alarmuara nga kallëzimtarët dhe shpifësit anonimë prej radhëve të “inteligjencës”, nga mendjemëdhenj dashakeqës dhe zilarë të shtresës së mesme, u përpoqën që, me marifete nga më të hollat, t’ua nxinin jetën dhe t’ua vështirësonin punën, qoftë beut, qoftë bujqëve nga Italia dhe në atë shkallë, sa një njeri normal të mos e quante më të mundëshme vazhdimin e kësaj pune. Por im atë nuk i dorëzonte armët aq lehtë.
Në vitin 1891, ai merret vesh me një aristokrat hungarez, kontin Imre Kogleviç, të cilin e kishte mik dhe i jep atij me qira për nëntë vjet çifligjet e Frakullës, Çervenit, Ferrasit e Zhukës. Ishte fajla për një sipërfaqe prej 7 000 hektarësh bashkë me një shtëpi shumë të mirë zotërinjsh. Qeraja prej 2 000 napolonash në vit nuk ishte e pakët, por tim eti as i shkonte ndërmend të pasurohej me to. Ai donte vetëm të çonte përpara modernizimin e bujqësisë. Në Frakullë erdhën makina bujqësore, bagëti dhe familje nga Hungaria dhe dy vjet më vonë, çifligu kishte pamjen e një ekonomie europiane.
Por përsëri dolën në skenë zilarët e poshtër dhe shpifësit. Dhe në Vlorë ata i gjeje me shumicë dhe më të pacipë se kudo. Po se kush ishin, vështirë të thuhej. Ata nuk përbënin një klasë, as dnonjë grup të organizuar. Tiparet e tyre dalluese ishin paturpësia me të cilën ata gënjenin, vrazhdësia me të cilën vepronin, përsa kohë nuk kishin frikë, përulësia që dëftenin, kur shpresonin të fitonin diçka apo trembeshin ta humbisnin, poshtërsia me të cilën intrigonin, mendjemadhësia që ata ndjenin ndaj çdo njeriu më pak të rafinuar dhe dinak.
Ata dilnin nga të gjitha klasat dhe më rrallë nga ajo e larta, e këtu kryesisht, kur ishin varfëruar. Kjo sepse objektivi më i parapëlqyer i sulmeve të këtyre kallëzimeve ishte vetë klasa e lartë. Kryesisht ata vinin nga radhët e intelektualëve hushkulur dhe gjysmë të falimentuar. Kështu në Vlorë, ishtë një burrë prej një familje të njohur, i kamur, pa ambicje dhe arsim (edhe turqisht nuk lexonte mirë), i cili shpifjen e kishte si një lloj sporti.
Vitin që nuk bëheshin ullinjtë, ai nxitonte në postë- telegraf dhe u çonte telegrame të gjitha organeve zyrtare, gjer edhe vetë Sulltanit, ku padiste dhe ankohej kundër një gogoli të vetëm: Syrja bej Vlorës! Mund të mendohej se ky njeri duhej padyshim të kishte vuajtur shumë nga përndjekjet e tiranit të qytetit sa të ishte i detyruar që ti kërkonte ndihmë Sulltanit. Aspak!
Me të kaluar “sezoni sportiv” ai vinte edhe për vizitë në shtëpinë tonë dhe aty pritej sikur të mos kishte ndodhur asgjë; mundej, mbase, vetëm ti bëhej shaka dhe ti qahej halli për gjithë ato mundime që kishte hequr. Ishte pastaj edhe një djalosh, rreth 20-vjeçar, gjysmë kapadai e mendjemadh, një farë Q. K. prej një familje të mirë qytetëse, i njohur me nofkën “qejfliu”, i cili kur hante bukë në shtëpi, çdo kafshatë që fuste në gojë e shoqëronte me lutjen që dhëntë Zoti e i jepte mundësi ti hante të gjallë bejlerët, njërin pas tjetrit.
Dhe çfarë i kishin bërë bejlerët? Asgjë! Përkundrazi, shtëpinë në Skelë dhe atë copë tokë përreth, babai i tij e kishte nga beu, i cili e ndihmoi që ta blinte nga një oficer turk i transferuar. Unë mund të tregoja qindra shembuj të këtillë, që janë komikë dhe të trishtëm njëherësh. Një ngushëllim mund të ishin fjalët e njërit prej këtyre të mjerëve, i cili, kur i kërkova një ditë arsyen e kësaj sjellje, më tha me çiltërsinë më të madhe: “E me kë të matem unë, në mos me ty? Se kush hedh gurë mbi një pemë që nuk lidh fruta?”
Një herë këta gurë të hedhur sollën pasoja serioze. Shpifësit lajmëruan telegrafisht në Stamboll se Syrja beu, i armatosur nga Monarkia Austro-Hungareze po përgatitet të shpallë pavarësinë e Shqipërisë dhe veten e tij Mbret. Armët dhe topat janë fshehur në Skelë thoshte kallëzimi dhe vetë doganierët bëjnë pjesë në komplot. Stambolli i dërgon menjëherë urdhëra të rrepta mëkëmbësit në Janinë (gjeneral Ahmet Hivzi Pashës) dhe menjëherë në vend dërgohet një komision hetimor. Në skelë ishin stiva me dëngje të rënda të ardhura nga Fiume të cilat, gjoja përmbanin armë.
Dengjet u hapën. Dhe çfarë u gjet në to? Kazma, lopata, zorrë uji, shirëse dore dhe paisje e vegla, të cilat kurrësesi, nuk mund të lidheshin me ndonjë përgatitje për luftë. Turpi i kallëzimtarëve, i valiut të Janinës që i pati mbështetur si dhe i autoriteteve qeveritare që lejuan të hiqen për hunde, ishte i plotë. Mirëpo askush nuk donte ta pranonte që kishte gabuar dhe askush nuk u dënua apo u qortua. Por njëherësh askush nuk donte edhe ta ndalonte rrotën që u vu në lëvizje.
Marrëdhëniet midis tim eti dhe të general Hifzi Pashës u acaruan më tej, sa së fundi u bënë thuajse armiqësore, sepse secili ngulte këmbë pranë Portës së Lartë dhe qeverisë në Stamboll që tjetri të largohej nga Janina apo nga Vlora. Ndërkohë konti Kegleviç në Frakullë iu mërzit jeta, derisa, i sëmurë e i shkurajuar, në vitin 1894 shkoi në Budapest dhe nuk u kthye më në Shqipëri. Krejt projekti u la kështu pas dore.
*Eqrem bej Vlora, Vëllimi i parë, 1885-1912. “Shtëpia e Librit& Komunikimit”. F. 51-53.