E prekur rëndë nga pandemia e COVID-19, Spanja njoftoi rihapjen këtë verë për turistët e huaj dhe rifillimin e kampionatit të futbollit, shenja të reja të një vullneti për rikthimin në normalitet në Europë, ndërkohë që epiqendra e sëmundjes është zhvendosur drejt Amerikës Latine.

Europa, ku më shumë se dy milionë raste janë regjistruar dhe mbi 173 000 persona kanë humbur jetën, ka vijuar rikthimin në normalitet duke shtuar masat nga frika e një rikthimi të sëmundjes.

“Më e keqja ka kaluar. Ne kemi kaluar valën më të madhe të pandemisë që ka shkaktuar mbi 28 000 të vdekur në vend”, theksoi kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez.

Madridi dhe Barcelona, dy vatrat kryesore të përhapjes në Spanjë do të mund të fillojnë lehtësimin e kufizimeve. Kampionati i futbollit do të mund të fillojë në javën e 8 qershorit”, theksoi kryeministri.

Ai njoftoi gjithashtu se turistët e huaj do të mund të rikthehen në korrik, një njoftim vendimtar për destinacionin e dytë turistik në botë.

Vend tjetër turistik, Italia do të hapë kufijtë më 3 qershor dhe gradualisht do të rihapë qendrat historike dhe kulturore.

Në rajonin e Romës, plazhet janë rihapur dhe ishin me qindra ata që përfituan nga dielli në Fregene, në brigjet e Latiumit.

“Po prisja me padurim, më ka marrë malli për detin aq shumë … Të thith pak jod, të vendos këmbët në rërë, në ujë, të ha një pjatë të vogël spageti! Kjo është e mjaftueshme për mua”, buzëqesh Arianna Tucci, një banore e Romës.

Gjithashtu shumë e varur nga turizmi, Qiproja do të rihapë aeroportet e saj me fluturime tregtare nga rreth njëzet vende nga 9 qershori.

Edhe në Qipro, plazhet janë rihapur. Njerëzit ndjehen mirë, uji është i mirë, gjithçka shkon për mrekulli”, deklaroi Georgios, një trajner i ri në Larnaca.

Londra ka vendosur një karantinë 14 ditore për udhëtarët që vijnë nga jashtë, duke përfshirë edhe ata që vijnë nga Franca duke detyruar Parisin për një masë reciproke.

Në Francë, vendi i pestë në botë më i prekur, me 28 289 të vdekur, ceremonitë fetare u rihapën dje.Rënia e numrit të sëmurëve vazhdon në vend.

Për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Amerika e Jugut është tashmë epiqendra e re e pandemisë.