Keidi Bare ka treguar një nivel shumë të mirë me Malagan dhe jep shenja të qarta se është një lojtar, që do i shërbejë shumë kombëtares sonë dhe do të arrijë në nivele të larta në futbollin e klubeve.

22-vjeçari është promovuar në elitën e futbollit botëror nga akademia e Atletiko Madridit dhe tashmë zbulon se gjatë eksperiencës së tij te klubi madrilen, ai ka realizuar ëndrrën për të luajtur me idhullin e tij, Fernando Torres.

“Që i vogël unë kam dashur shumë Fernando Torresin. Madje kam pasur edhe një llogari në ‘Facebook’ me emrin e tij. Më pas më është realizuar ëndrra, pasi kam luajtur me të. Nuk ishte vetëm një futbollist i mirë, por edhe një person i tillë jashtë fushës së blertë. Aktualisht jam te Malaga dhe ndihem shumë i lumtur. Unë nuk dua të largohem dhe pavarësisht ofertave, dua që t’i marrë shkallët një nga një. Këtu me vlerësojnë tepër dhe për këtë arsye dua që të qendroj. Manaj te Barcelona? Është një zgjedhje duke marrë për bazë emrin e skuadrës për të cilën bëhet fjalë, është Barcelona. Shumë të tjerë do të ëndërronin që vetëm të stërviteshin atje, siç Manaj ka bërë. Jam i sigurt se po punoi fort, do të shkojë shumë larg”,- tha Bare.