Nga Alfred Peza/

Tre vjetori i marrëveshjes politike mes kryetarit të mazhorancës dhe atij të opozitës, përkoi edhe me ditën e shëmbjes së Teatrit Kombëtar, pas një debati disavjeçar në lidhje me të. E parë nga kjo retrospektivë, vendimi i Bashkisë së Tiranës dhe mazhorancës, u lexua në mënyra të ndryshme nga opinioni publik në raport me opozitën.

Emocionet që po krijonte shembja e kësaj godine dhe presioni publik që po ushtrohej mbi opozitën, me sa duket e detyruan Lulzim Bashën që të pranonte formalisht për herë të parë, se kishte gabuar më 2017 kur ishte ulur me Edi Ramën, duke garantuar se ai nuk do të përsëritej më kurrë.

Përtej aksiomës që na meson se në politikë “kurrë mos thuaj kurrë”, po përpiqem që të fokusohem, vetëm tek ai që e konsideroj si të vetmin gabim të kryetarit të opozitës shqiptare në të gjithë këtë histori. I cili duke u shndërruar në vijën e tij të sjelljes si lider, e ka bërë atë, që të marë përmasat e një faji.

“Mea culpa” e “madhe” e Lulzim Bashës këtë të dielë, u shoqërua me premtimin se opozita do të ndërmerte tani e tutje, të gjitha hapat demokratike për largimin e Edi Ramës. Duke e rrëzuar po brenda pak çastesh, kur u deklaroi në nervozizëm e sipër gazetarëve, të vërtetën e vetme se rrëzimi i qeverisë në Shqipëri nga ana e minorancës, mund të ndodhë vetëm me votë. Pra, në zgjedhjet e radhës, në qershorin e vitit të ardhshëm.

E pikërisht brenda këtyre dy qëndrimeve diametralisht të kundërta, fshihet i vetmi gabim që ka bërë Lulzim Basha në marrëveshjen e 17- 18 majit 2017, me Kryeministrin Rama. I cili nuk është thjeshtë një gabim dhe aq. Por tashmë një faj. Është një faj nga ato që e kanë penalizuar, po e penalizojnë dhe do ta penalizojnë opozitën shqiptare edhe në qershorin e 2021, nëse ai vazhdon në këtë rrugë.

E ky faj qëndron tek kontradikta e thellë në të cilën Lulzim Basha e ka futur opozitën shqiptare, përmes asaj që thotë dhe asaj që bën, si lider i saj. Mes asaj që predikon dhe asaj që vepron. Mes asaj që ai e di shumë mirë sesi funksionon teorikisht në një sistem demokratik dhe asaj që ai po bën praktikisht si politikan, si Kryetar i PD dhe lider i opozitës.

Sepse nga njëra anë Lulzim Basha thotë se Edi Rama rrëzohet veç me votë në zgjedhjet e radhës, e nga ana tjetër ai e futi Partinë Demokratike për tre muaj me radhë në çadër, duke i premtuar krijimin prej aty të “Republikës së Re”.

Ai rrekej tua shpjegonte atyre që donin të shihnin ëndrra me sy hapur, sesi do të ishte “Republika e tij e Re”, por ai asnjëherë nuk ua tregoi të vërtetën. Të vërtetën e thjeshtë se ajo mund të ngrihej, vetëm nëse “rrëzohej” me votën e shqiptarëve, kjo “Republika e Vjetër” që kemi akoma prej 30 vjetësh.

Nga njëra anë Lulzim Basha predikonte në bulevard se kurrë nuk do të bënte marrëveshje me Edi Ramën dhe nga ana tjetër u ul për orë të tëra përballë tij. Ajo çfarë kuptohet pas 3 vjetësh, është se ai paska patur bindjen e fshehtë se marrëveshja mund të shndërrohej prej tij në pazar, përmes hilerash që do ta sillnin atë në pushtet, pa shkuar akoma në zgjedhje.

E pikërisht këtu qëndron thelbi i fajit të Lulzim Bashës. Sepse duket se i ka mbushur mendjen vetes se do ta fitojë njëherë pushtetin në tavolinë, e më pas do të shkojë formalisht drejt zgjedhjeve, thjeshtë sa për të çertifikuar atë që ka arritur më parë përmes një pazari politik.

Sepse nga njëra anë Lulzim Basha siç u pa edhe sot, është është shumë i qartë se e vetmja rrugë për ta rikthyer opozitën në pushtet kalon përmes procesit zgjedhjor, e nga ana tjetër, ai i bojkotoi ato të 23 qershorit të 2019.

Nga njëra anë, ai thotë se Edi Rama rrëzohet vetëm me zgjedhje, e nga ana tjetër edhe ato mandate që populli opozitar ia kishte besuar atij dhe opozitës në zgjedhjet e 2017, Lulzim Basha i dogji duke u larguar edhe nga Parlamenti. Duke u larguar edhe nga institucionet. Edhe nga sistemi politik. Edhe nga sistemi demokratik. Derisa e nxorri opozitën në rrugën e madhe, për të mos patur sot asnjë pushtet, për herë të parë që nga dita e themelimit të Partisë Demokratike.

Nga njëra anë Lulzim Basha thotë se opozita mund të rikthehet në pushtet vetëm përmes zgjedhjeve, dhe nga ana tjetër predikon çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit për të shtatin me radhë që nga 2013; herë revolucionin, herë mosbindjen civile, herë protestat, herë molotovët, herë “babalet”, herë refuzimin e dialogut politik, si mundësitë për të rrëzuar Edi Ramën dhe mazhorancën socialiste që ai drejton.

Ndaj të gjitha këto predikime dhe kazuat politike që ai dhe liderët e tjerë të opozitës, ia rrëmbejnë grupeve të ndryshme të shoqërisë, kanë dështuar dhe do të dështojnë. Sepse ato nuk janë instrumente politike, progame alternative qeverisëse dhe platforma elektorale për të fituar nesër me votë. Por, thjeshtë ca hilera politike nga ato që Lulzim Basha shpresoi të bënte edhe me marrëveshjen e tre viteve më parë, për të fshehur paaftësinë e tij për ta mundur mazhorancën me votë.