Fëmijët deri në 14 vjeç po shfrytëzojnë orët e daljes në këtë të dielë me diell, mes argëtimit dhe relaksit të ambienteve të gjelbra në kryeqytet. Jo vetëm rrugët kryesore të Tiranës ku fëmijët pedalojnë me biçikleta por edhe të gjitha parqet janë të mbushura prej tyre. Një pjesë e prindërve kanë zgjedhur të kalojnë kohë në parkun e madh të Liqenit Artificial, në këndin më të madh të lodrave ku fëmijët bëhën pjesë e lojrave të ndryshme ndërsa një pjesë tjetër ka zgjedhur të pedalojë në korsitë e dedikuara të biçikletave.

Mes ajrit të pastër që ofrojnë parqet e gjelbëruara në Tiranë dhe ditës së bukur me diell që ofron e diela e 3 majit, fëmijët po shijojnë orët e lirisë pas një javë izolimi në banesë. Prania e fëmijëve në të gjithë Tiranën, ka kthyer gjallërinë e munguar rrugëve dhe parqeve të kryeqytetit.