Nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në kuadër të operacionit policor “Investimi”, u bë ekzekutimi i vendimit për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në ngarkim të vëllezërve Sh. H. 43 vjeç dhe E. H., 42 vjeç, banues në Tiranë.
Policia e Shtetit bëri të ditur se shtetasi Sh. H. ka rekorde kriminale në shtetin e Belgjikës, ku ka kryer një vrasje para disa vitesh.
“Në vitin 2009 të dy vëllezërit Sh. H e E. H. dhe 4 shtetas të tjerë janë arrestuar nga Policia Gjyqësore Federale në Gent, Belgjikë, si pjesëtarë të një grupi kriminal, për veprat penale “Trafikimi i grave për prostitucion” dhe “Substancat narkotike””, njoftoi Policia e Shtetit.
Për shtetasin E. H. Policia thotë se, ka rekorde kriminale në shtetin e Belgjikës, ku ka qenë i përfshirë në hetime nga Prokuroria e Gentit/Belgjikë në dosjen “GIRANA” të vitit 2008, për veprat penale “Trafikim i qenieve njerëzore me qëllim shfrytëzimi për prostitucion” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”.
“Në këtë dosje shtetasi E. H. ka qenë i dyshuari kryesor dhe është arrestuar në Belgjikë, në datën 02.02.2009. Gjithashtu rezulton se nga viti 2002 deri në vitin 2009, ka qenë i burgosur në Belgjikë, për veprën penale “Trafikim dhe shfrytëzim i prostitucionit””, thotë Policia.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në bazë të materialeve të dërguara nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bëri regjistrimin e procedimit penal në vitin 2019, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.
“Pas një pune të mirorganizuar të strukturave të Policisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë të udhëhequra dhe të koordinuara me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, si dhe plan-operacionit “Investimi” u bë e mundur që të sekuestrohen asete dhe llogari bankare në shumën 3.700.000 euro, konkretisht 4 apartamente në Tiranë, 2 apartamente në Sarandë, 1 ambient biznesi trekatësh në Laprakë, 1 njësi tregtare, 1 palestër, 7 garazhe dhe dy aktivitete biznesi në Tiranë, 4 automjete BMW X5 dhe llogari bankare në euro, usd dhe lekë dhe gjendjen aktuale në këto llogari në tri banka të nivelit të dytë” thuhet në njoftimin e Policisë.