Prej ditës së sotme ka nisur fushata e informimit për fermerët nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural për fondet e Skemës Kombëtare 2020. Ministri Bledi Çuçi tha se pjesa më e madhe e fondeve të kësaj skeme do të shkojnë për të mbështetur blegtorinë. Çuçi ishte në Gjirokastër ku vizitoi një prej fabrikave më të mëdha në vend për përpunimin e qumështit.

“Ne kemi menduar që për t’i ardhur në ndihmë këtij sektori kaq të rëndësishëm, rreth 80% të granteve të Skemës Kombëtare për fermerët, t’ia dedikojmë blegtorisë. Këtë vit me një skemë shumë të thjeshtë, duke paguar para për tufën bazë. Besoj se kjo do të jetë një ndihmë shumë e madhe dhe e shtrirë në disa vite, mendojmë që do të bëjmë një ndryshim rrënjësor në këtë sektor”, u shpreh ministri. Sipas tij Shqipëria mund të ketë sasi më të mëdha djathi apo nënprodukte të tjera qumështi nëse do të arrihet që të garantohet lënda e parë. Kjo tha ministri, bëhet duke shtuar numërin e krerëve të bagëtive në vend, prandaj subvencionet do të shkojnë për tufën bazë.

Pas fushatës së informimit në të gjithë vendin, fermerët do të kenë mundësi të bëjnë aplikimet e tyre prej datës 29 maj deri më 19 qershor. Këtë vit aplikimet do të bëhen online me zero dokumenta përmes portalit E-Albania. Fondi i parashikuar në Skemën Kombëtare për vitin 2020 është 743,9 milionë lekë dhe pritet të përfitojnë rreth katër mijë fermerë në të gjithë vendin.
Linku per pamjet