Forcat e Armatosura do të marrin pjesë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut “Unmiss”. Qeveria ka miratuar të mërkurën, vendimin “për pjesëmarrjen e personelit të forcave të armatosura të republikës së Shqipërisë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut (Unmiss)”.

Ky vendim vjen në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”. Në vendimin e publikuar sot, është caktuar dhe afati kohor i zgjatjes së misionit. “Pjesëmarrja e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në Shtabin Rajonal të Forcës Mbrojtëse të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Juba, Republika e Sudanit të Jugut, do të ketë një kohëzgjatje deri më 15.3.2021. Afati i misionit fillon të llogaritet nga data e dërgimit në mision. Periudhës së qëndrimit në mision i shtohen edhe ditët e qëndrimit për marrje e dorëzim detyre dhe të vonesave të transportit strategjik për ndërrimin me personelin e radhës”.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”.