Futbolli i pas koronavirusit nuk do të jetë i njëjtë me atë që zhvillohej deri para dy mujsh. Në Angli të hënën do të vendoset për rifillimin e Premier League, por për ta bërë këtë po përgatitet një protokoll që sportdashësve do t’u heqë shumë detaje të cilat më herët i evidentonin.

Sipas asaj që raporton ‘Daily telegraph’ nuk do të ketë festime kur shënohet goli, futbollistët nuk do të pështynë në fushë, ndërsa do të jetë i ndaluar edhe përdorimi i një shishe uji nga dy futbollistë të një skuadre.Mes diskutimeve do të jenë dhe masat e reja të higjienës që pritet të qëndrojnë në fuqi për më shumë se një vit. “Daily Telegraph” raporton se këto masa strikte do të fillojnë të aplikohen që në stërvitjen e ekipeve, në mënyrë që kur të rinisë sezonin lojtarët të jenë të mësuar me to.

Për shembull, pështyrja në fushën e lojës do të jetë e ndaluar gjatë seancave stërvitore dhe kjo gjë mund të vendoset dhe gjatë ndeshjeve. Nuk dihet nëse arbitrat do ti ndëshkojnë futbollistët nëse kryejnë ndonjë nga këto veprime në fushë, por në Angli së fundmi është folur që me kushtin e rifillimit të kampionatit ndeshjet mund të luhen edhe më pak se 90 minuta.