“Duhet vullnet politik për të përmbyllur Reformën Zgjedhore deri në 31 maj”, tha sot deputetja e PS-së Blerina Gjylameti, në një intervistë televizive.
Gjylameti thekson se kemi një marrëveshje dhe Reforma Zgjedhore kalon më 31 maj në Parlament.
Në lidhje me përmbylljen e Reformës Zgjedhore deri më 31 maj, Gjylameti tha se, “të them optimiste është pak, nëse duhet të themi se realisht mund të kemi një marrëveshje dhe Reforma Zgjedhore të kalojë në parlament brenda majit, besoj që po. Në të gjithë kohën pavarësisht situatës aspak normale për shkak të pandemisë, ekspertë kanë punuar, kemi arritur të kemi një draft i cili pasqyron apo reflekton të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe po ashtu edhe për çështjet që ka patur diskutime me opozitën jashtëparlamentare dhe atë parlamentare kemi arritur pika dakordësie për disa çështje dhe për disa të tjera kemi ende diskutime për të bërë. Pra mundësia që të kemi një draft të mirëfilltë dhe po ashtu kohën e duhur për ta kaluar brenda 31 majit është”.
“Ajo që vihet re në këto ditë të cilët po rikthehen në tryezë të diskutimeve ka njëfarë tërheqje për disa çështje, por mendoj nëse ka ende vullnetin e duhur politik, do ia dalim. Besoj se është një detyrim që i kemi shqiptarëve të gjithë kahet e politikës dhe mbi të gjitha është një kusht i vendosur prej vitesh dhe tashmë do të duhet që të konkludohet brenda majit. Nëse ka dëshirë mundet të arrimë të kemi një Reformë Zgjedhore e cila kalon në Parlament brenda 31 majit”, tha Gjylameti.
Ajo shtoi se, “në anën tjetër janë disa çështje që duhen drejtuar ODIHR dhe ndërkohë gjatë gjithë kohës në tryezën e Këshillit Politik e po ashtu edhe në komision e Posaçëm të Reformës Zgjedhore jemi të asistuar nga ekspertë të ndryshëm ndërkombëtarë që kanë miratimin e ODIHR dhe po ashtu në të gjitha pikat që jemi dakord janë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR të cilat kanë ardhur si pasojë e vëzhgimit të tre palë zgjedhjeve të fundit në Shqipëri. Ajo që besoj unë që duhet të vazhdojmë shumë shpejt përpara është fakti se duhet të ketë një vullnet politik që të tregojë se mundet t’ja dalim për një detyrim që kemi”.
Në lidhje me depolitizimin e administratës zgjedhore, Gjylameti tha se në radhë të parë duhet të shpjegojmë formulën.
“Depolitizimi i administratës zgjedhore që do të thotë se së pari nuk janë vetëm të punësuarit që kanë detyrimin nëse shorti i bie për Administratën Zgjedhore dhe kjo nuk është një formulë e cila ka dalë në Shqipëri por përdoret në shumë vende të tjera të botës. Nga ana tjetër, çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë mund të aplikojë për të qenë pjesë e administratës zgjedhore dhe në grupin e njerëzve që shprehin dëshirën për të qenë pjesë e administratës zgjedhore dhe ato që kanë detyrimin për të qenë pjesë e administratës publike me short përzgjidhen ata që do të jenë pjesë e administratës zgjedhore dhe normalisht, mjafton kjo mënyrë e të shpjeguarit të formulës për të kuptuar se nuk do jetë vetëm administratë publike, por do jetë një trupë zgjedhore e cila është me qytetarë të lirë. Me këtë lloj formule eliminojmë pjesë e politizimi, eliminojmë dhënien e llogarisë se administratës zgjedhore të partitë politike, por ndërkohë ata që janë pjesë e administratës zgjedhore do të duhet të përgjigjen para ligjit”, tha ajo.
Për sa i përket insistimit të opozitës parlamentare për ndryshimin e sistemi zgjedhor, Gjylameti tha se “ asnjë nga rekomandimet e OSBE/ODIHR nuk ka qenë për ndryshim sistemi zgjedhor”.
“Ndërkohë sa i përket një axhende paraprake që punon dhe Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore ne kemi rënë dakord për propozimin që ka bërë opozita parlamentare për ndryshimin e sistemit dhe është pika e fundit e cila trajtohet në axhendën që ne kemi. Jemi në fazën ku po trajtojmë rekomandimet e OSBE/ODIHR që kanë të bëjnë me depolitizimin apo kuotat gjinore apo elementë të tjerë dhe në momenti që përfundojnë me çështjen e parë do diskutojmë edhe për sistemin zgjedhor apo Kodit Zgjedhor. Kodi Zgjedhor kërkon ndryshime kushtetuese kështu duhet të kemi një dakordësi shumë më të madhe ndaj pjesa e Këshillit Politik në këto momente është e rëndësishme sepse duhet vullnet politik ku të gjitha palët të bien dakord. Po t’i kthehemi kujtesës, asnjë reformë zgjedhore nuk ka kaluar në Shqipëri pa konsensus politik të të gjitha palëve”, tha Gjylameti.