Parlamenti Evropian në Strasburg është shndërruar në një qendër testimesh për koronavirusin. Në vend të eurodeputetëve në kostume e kravata dhe asistentëve të tyre, përparëse të bardha dhe fytyra me maska, enden tani në hollet e ndërtesës së parlamentit evropian në Strasburg, që është shndërruar kështu në një qendër të madhe testimi për koronavirusin me kapacitet deri në 2 mijë testime në ditë.

“Unë jam një punonjës i sistemit të shëndetësisë dhe për tu siguruar që unë nuk do të infektoj pacientët, sepse jam mjek, po e bëj këtë testim…”

“Mjeku na dërgoi këtu që të sigurohemi pasi kemi patur kontakt me një bartës asimptomatik. Ne do të zbulojmë gjithçka katër apo pesë ditë më vonë. Duke patur parasysh moshën tonë dhe disa kushte të tjera, mjeku preferoi që ne të testoheshim”.

Në të gjithë rajonin e Strasburgut në fakt janë hapur 21 qendra testimi që mund të presin një maksimum prej 2400 personash në ditë. Gradualisht thonë zyrtarët, kapaciteti do të rritet. E duke qenë se pandemia e koronavirusit i ka mbajtur eurodeputetët në izolim, në shtëpitë e tyre, salla e parlamentit evropian, e zbrazur që nga marsi, po shfrytëzohet më së miri.