Teatri i ri Kombëtar, do të jetë dinjitoz dhe me parametrat më të mirë bashkëkohorë, duke mos pasur më turp për t’i bërë ftesa regjisorëve të huaj, siç ndodhte rëndom më parë. Aktori Gerti Ferra gjatë një interviste televizive është shprehur qartazi se godinës së vjetë të Teatrit Kombëtar i kishte ardhur fundi.

“Më në fund erdhi dita t’i jepnim fund asaj karakatine të turpshme që ishte në mes të Tiranës e që quhej Teatri Kombëtar. Dhimbshmëri kam pa fund për atë godinë, pasi e kam prekur që në vegjëli, kam emocionet e mija në atë skenë. I sapodalë nga bankat e Akademisë së Arteve ushtrova profesionin tim në atë skenë, por që ishte në zgrip të çmendurisë për t’u quajtur një Teatër Kombëtar. Më vjen keq që nuk u mblodhën kurrë siç ishim të gjithë aktorët, regjisorët dhe t’i hidhnin një tufë lulesh, të recitonim një poezi, disa vargje të ndjera për t’u ndarë nga emocionet dhe kujtimet tona. Edhe unë u rrëqetha kur godina ra, por pas goditjes së parë, thashë erdhi dita e madhe që mezi e kam pritur”, – tha Ferra.

Aktori tha se kurrsesi nuk do ishte dakord të shkonte tek Bregu i Lumit për të parë Teatrin Kombëtar.

“S’kam asgjë me atë zonë, por si koncept. Për këta romantikët dhe këta që po ngrejnë zërin sot, lind pyetja ku jeni ju që flisnit dikur për kushtet më të mira të punës, për pagat… etj., dhe nuk merren me kauza të qenësishme si e përditshmja e artistëve”, – shtoi ai.

Ndërsa Ferra theksoi se kryetari i Bashkisë së Tiranës është i vetmi që ka marrë kokë më kokë opinionet personale të gjithë aktorëve, e sipas tij këtë nuk e ka bërë asnjë deri më sot.

“Asnjë politikan nuk na ka pyetur secilin nga ne se si e mendon kauzën e Teatrit Kombëtar. Nuk është vetëm godina kauza, është dhe sistemi. Pra është më e gjerë se kaq situata. U bëj thirrje që mos u merrni vetëm me godinën, por merruni dhe me thelbin e së vërtetës, ua them me shpirt këtë gjë. Ka shumë njerëz nga ata aty që e thonë e gërthasin, por ju them, ka shumë gjëra personale që ju jeni mbase viktimë e kësaj kauze të madhe që po përdoret rëndom sot nga politika”, përfundoi Ferra për ATSh.