Në Greqi sot u hapën më shumë se 500 plazhe duke bërë që njerëzit të vërshonin drejt bregdetit.
Greqia po përpiqet të ruajë balancën delikate për të mbrojtur shëndetin e njerëzve nga njëra anë dhe nga ana tjetër për të rigjallëruar turizmin, tek i cili varet jetesa e shumë banorëve.
Për mjaft njerëz në Greqi, kjo ishte hera e parë që frekuentonin plazhet publike që nga fillimi i muajit, kur vendi filloi zbutjen e kufizimeve për COVID-19n. Vërshimi drejt plazheve përkoi me valën e parë të të nxehtit për këtë vit.
Pushuesve u kërkohet të respektojnë rregullat e distancimit, të cilat madje përcaktojnë se sa larg duhet të jenë çadrat e diellit nga njëra-tjetra.
Jo më shumë se 40 njerëz lejohen për 1.000 metra katrorë, ndërsa çadrat duhej të jenë katër metra larg njëra-tjetrës, sipas një manuali të publikuar nga qeveria, të shoqëruar me diagrama.
Greqia ka raportuar shumë më pak raste me COVID-19 se sa vendet fqinje, më tepër se 2,800 infeksione dhe ka patur 160 të vdekur. Nga data 4 maj, vendi me 11 milion banorë filloi një lehtësim me faza të kufizimeve që kishte vendosur në mes të marsit.
Turizmi në Greqi jep rreth një të pestën e prodhimit ekonomik.
Pas rihapjes së plazheve, njerëzit do të lejohen të marrin pjesë në meshën e së dielës, ndërsa objektet arkeologjike, përfshirë Akropolin, do të rihapen për vizitorët më 18 maj.
Nga e hëna, do të lejohen udhëtimet nëpër territorin e Greqisë dhe në Kretë ndërsa nga 25 maji në ishuj.
Zyrtarët e turizmit thonë se shpresojnë të presin pushuesit e huaj në korrik.
Autoritetet presin këtë vit një rënie prej 5 deri në 10 për qind të prodhimit ekonomik, përpara rimëkëmbjes që pritet në vitin 2021.