Me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, fabrikat në të gjithë vendin janë lejuar të punojnë, por me rregulla strikte për të mos rrezikuar shëndetin e punonjësve. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla pa sot nga afër punën në fabrikën e përpunimit të peshkut “Rozafa” në Përrenjas, e cila është rikthyer në punë me rregulla të përcaktuara të respektimit të higjienës. Për shkak të pozicionimit të distancuar, fabrikat po punojnë me numër të kufizuar punonjësish. Lidhur me këtë, administratori i kompanisë Rozafa, Gjergj Luca kërkoi rikthimin në punë në normalitet të të gjithë punonjësve, duke qenë se bashkia e Përrenjasit është një bashki e gjelbër.
Në fjalën e tij, Balla pasi falenderoi kompanitë që nuk e kanë ndërprerë punën e tyre, shtoi se asnjë masë lehtësuese nuk do të merret pa u gjykuar nga autoritetet e shëndetësisë. “Faleminderit që keni nisur punën në këto kushte strikte të higjienës që kanë të bëjnë, në radhë të parë me jetën e punonjësve dhe më tej me rikthimin në normalitet të ciklit ekonomik të vendit. Ruajtja e këtyre e distancave në mjedise të tilla të mbyllura është e domosdoshme. Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar qartë protokollin e masave që duhet të zbatohen nga çdo njësi prodhimi”, tha ai.
Balla tha se “edhe pse Përrenjasi është zonë e gjelbër, lufta vazhdon. “Do të jetë Ministria e Shëndetësisë që do të përcaktojë momentin kur do të rikthehemi në normalitet, prandaj ruajtja e distancës do të vazhdojë”, tha Balla.
Sipas Ballës, “në të gjithë këtë luftë ka pasur dy interesa të kundërta: ishte qeveria që kërkonte me çdo kusht mbrojtjen e jetës së njerëzve dhe pala tjetër që kishte interes të shpërndante panik apo të krijonte kredibilitet politik nga e gjithë kjo”.
“Edhe historia e fasonerive që po përdoren për llomotitje politike nuk ka të bëjë aspak me atë që ne e kemi bërë shumë të qartë: çdo njësi prodhimi mund të fillojë punën, por me rregulla shumë strikte dhe të përcaktuara”, deklaroi Balla. Ai theksoi se qeveria ka mbështetur me aq sa janë kapacitetet e saj të gjitha kompanitë për periudhën që e kanë pasur të pamundur të punojnë. Ndërsa administratori i Kompanisë “Rozafa”, Gjergj Luca në fjalën e tij tha se “përsa i përket masave të higjienës nuk kemi bërë ndryshime të mëdha, përveç kabinave të dezinfektimit dhe distancimit brenda fabrikës”. “Aktualisht në këtë repart janë 120 punonjëse, por kapaciteti ynë është shumë herë më i madh dhe jemi në prag të sezonit”, shtoi ai.