“Nga nesër, 29 maj – 19 qershor, hapen aplikimet online në e-Albania me zero dokumente, për të përfituar financime nga Skema Kombëtare, për një të ardhme më të sigurt të fermerit dhe blegtorit shqiptar”. Kryeministri Edi Rama njoftoi çeljen për këtë vit të kësaj skeme, teksa publikoi në ERTV historinë e suksesit të Kudret Dogës, i cili ia ka dalë që në Gradishtë të Divjakës të shndërrohet nga një fermer i thjeshtë, në një sipërmarrës të eksportit të prodhimeve shqiptare në tregjet e rajonit dhe Europës.
Për këtë e ka ndihmuar ngritja nga e para e një pike të re grumbullimi të perimeve, me financim nga Skema Kombëtare e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, ku mbi 100 fermerë të tjerë të zonës së Lushnjës dhe Fierit shesin produktet e tyre, të cilat Kudreti i eksporton përtej kufijve. “Jam i lidhur me rreth 150 fermerë, me kontrata, që sjellin perimet këtu. Kjo i ndihmon edhe ata, sepse nuk kanë nevojë të humbasin kohë nëpër tregje ose pika për të çuar produktet, por i sjellin këtu. Jam krenar që asnjë nga prodhimet e mia nuk është kthyer mbrapsht nga konsumatori i huaj”, tha sipërmarrësi për ERTV. Drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca, shtoi se pika e tij e grumbullimit, e ngritur me mbështetjen e AZHBR, është kthyer në model të sipërmarrjes bujqësore për gjithë zonën e Fierit. Falë talentit e punës së tij pa orar dhe mbështetjes së Qeverisë shqiptare, Kudreti ia ka dalë me sukses të shndërrohet nga një fermer i vogël, në sipërmarrës mbresëlënës të eksportit të prodhimeve shqiptare drejt Europës.