Kavaja është një nga qytetet që iu desh të përballojë jo vetëm masat kufizuese si pasojë e COVID-19, por edhe pasojat e dy tërmeteve që shkaktuan jo pak dëme. Në një intervistë për tirananews.al, kryetari i Bashkisë së Kavajës, Redjan Krali, deklaroi se gjatë kësaj periudhe janë ndihmuar me paketa ushqimore 1890 familje. Krali thotë se bashkë me inspektoratet e tjera janë kryer një sërë kontrollesh edhe nëpër fasoneri, ndërsa thekson se pavarësisht ndikimit që do të ketë në ekonomi, puna do të vijojë për rindërtimin. Ai thotë se prej tërmetit të 21 shtatorit janë drejt përfundimit 20 banesa individuale, ndërsa kanë përfunduar edhe projektet e rindërtimit për tërmetin e 26 nëntorit, ku janë miratuar 2 zona zhvillimore (Kavajë dhe Golem), 9 objekte arsimore,si dhe banesa private. Kryebashkiaku i Kavajës thotë se për të lehtësuar bizneset, me vendim te Këshillit Bashkiak Kavajë, u vendos që taksa vendore të shtyhet për 2 muaj.
Kavaja ka pasur 9 të prekur me COVID 19, ndërsa tani është në qytetet që janë në listën e gjelbër. Cilat janë masat e marra nga Bashkia që ju drejtoni për këtë situate që të mos përhapet? Gjatë periudhës Mars – Prill edhe Kavaja është prekur nga pandemia COVID-19. Në këto kushte me qëllim uljen e kurbës së infektimit,, Bashkia Kavajë ngriti Shtabin Koordinues në Bashki, ngriti njësinë koordinuese dhe zbatuese në terren, për marrjen e masave te cilat përfshijnë karantinimin,kufizimin e lëvizjeve dhe ofrimin e asistencës në banesë ndaj shtresave në nevojë, në kushtet e pandemisë të shkaktuar nga COVID-19”.
Keni bërë kontrolle nëpër fasoneri dhe biznese të tjera? Janë bërë kontrolle të vazhdueshme nga të gjitha strukturat e shtetit në bazë të ligjit kryesuar nga DSHP, Policia e Shtetit si dhe nga strukturat e Bashkisë Kavajë.
Cilat janë nismat për te lehtësuar biznesin, kryesisht atë të vogël lidhur me taksat? Me propozim te Kryetarit të Bashkisë dhe me vendim te Këshillit Bashkiak Kavajë, u vendos që taksa vendore të shtyhet për në 2muaj.
Sa familje kanë marrë ndihmë në këtë periudhë dhe a është arritur mbulimi I gjithë territorit të Bashkisë? Në Bashkinë Kavajë gjatë periudhës Mars-Prill janë ndihmuar me paketa ushqimore 1890 familje. Nga ku secili administrator shoqëror ka arritur të verifikojë shtresat e ndryshme ku duhet të asistojmë me shërbimet tona. Sigurisht që detyrimi jonë nuk mbaron këtu pasi i detyrohemi çdo qytetari deri ne momentin kur do të jemi të sigurtë që e kemi mundur armikun e padukshëm.
Si është organizuar kjo shpërndarje dhe çfarë përmban pakoja e ndihmës? Në Bashkinë e Kavajës janë asistuar me paketa ushqimore( detergjente dhe ushqime bazike), asistencë mjekësore, shpërndarje pensionesh, si dhe pagesa faturash. Bashkia Kavajë ka trokitur duke i ardhur në ndihmë çdo pensionisti, jetimi, invalidi, personave me aftësi të kufizuar, familjeve të cilët trajtohen më ndihmë ekonomike,komunitetin rom dhe egjiptian dhe familjeve që janë vendosur në çadra për shkak të situatës sizmike të krijuar në vend, me datë 26.11.2019. Gjithashtu janë kryer dezinfektime ne godina dhe territore( Institucionet, kopshte/çerdhe/shkolla, Qëndra shëndetësore, rruge,trotuare, biblioteka,lulishte,parqe si dhe ndërtesa ku janë identifikuar persona me COVID-19).
Si po funksionon vetë institucioni i Bashkisë në këtë periudhë? Puna në Bashkinë Kavajë vijon rregullisht me kufizimet që janë vendosur nga qeveria dhe secila zyrë është e hapur dhe një pjesë e personelit (psh. nënat me fëmijë) vijojnë punën online, ndërsa pjesa tjetër vijon punën në zyrë , duke respektuar rregullat e sigurisë.
Si po vijon puna për investimet publike, janë ndërprerë apo vijon në mënyrë të kufizuar? Fatkeqësisht në këtë periudhë është kufizuar shumë puna për investimet por ne nuk e kemi ndalur në asnjë çast punën në terren dhe shpresojmë që sa më shpejt të nisë puna për rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit në Bashkinë Kavajë.
Sa mendoni se këto kufizime do të ndikojnë në ekonominë e qytetit? Këto kufizime do të kenë një ndikim goxha të ndjeshëm, kjo duke u bazuar se Kavaja është një zonë turistike ku ushtrojnë aktivitetin disa nga subjektet më të rëndësishme hoteliere, nga ku janë të punësuar një numër i madh qytetarësh nga Bashkia jonë. Nga kjo situatë Bashkia Kavajë do të ketë dhe një tkurrje të të ardhurave të munguara nga turizmi nga mbyllja që ka deri në këto momente sektori i turizmit. Bashkia Kavajë po bën përgatitjet e duhura duke shpresuar që sa më shpejt të kemi një përmirësim të situatës.
Cilat do të jenë prioritetet e Bashkisë suaj për muajt e tjerë të këtij viti? Prioriteti jonë për muajt në vijim janë : rrjeti i Ujësjellës Kanalizimeve, projektet e rindërtimit nga tërmeti 26 nëntorit si dhe shumë investime të tjera të planifikuara por të ndërprera për shkak të pandemisë të cilat do të rifillojnë shumë shpejt.
Deri ku keni ecur me projektet e rindërtimit te banesave te prekura nga tërmeti? Projekti i rindërtimit nga tërmeti i 21 shtatorit, jemi në përfundim të 20 banesave individuale. Kemi përfunduar gjithashtu dhe projektet nga dëmet e tërmetit të 26 nëntorit, nga ku kemi të miratuara 2 zona zhvillimore (Kavajë dhe Golem), 9 objekte arsimore,si dhe banesa private.
Ju vete si kryetar i Bashkisë, si e keni organizuar raporton mes punës në këtë periudhë, por edhe familjes suaj? Gjatë kësaj periudhe bashkia Kavajë është prekur nga disa fatkeqësi natyrore,ndaj gjatë gjithë kohës kam qëndruar pranë bashkëqytetarëve,për ti ardhur në ndihmë në këto kohë të vështira,të cilat kanë ndikuar në jetën e secilit prej nesh. Familjes i kam kushtuar një kohë shumë të kufizuar por gjithmonë kam patur mbështetjen e tyre për të qenë të gjithë bashkë me shpresën që dielli do të lindë përsëri dhe jeta do të na buzëqeshë.