Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) bën të ditur se investimi me vlerë 140 milionë lekë për rikonstruksionin e 2 nënstacioneve elektrike në Hoxharë dhe Pojan, në Fier do të përmirësojë ndjeshëm furnizmin me energji të banorëve të këtyre zonave. “Vendosëm pajisje të reja elektrike dhe dyfishuam fuqinë në 22 MW”, deklaroi OSHEE. Po ashtu, OSHEE informoi se është duke realizuar aktualisht një tjetër investim me vlerë 96 milionë lekë në fshatrat rreth Topojës dhe Semanit, i cili konsiston në rikonstruksionin dhe fuqizimin e rrjetit 35kV nga nënstacioni TEC Fier deri në nënstacionin Hoxharë.
“Investimet janë shoqëruar me stakime të detyrueshme si masë sigurie per zhvillimin normal të punës, ndërsa abonentët janë njoftuar në kohë për datën, zonën dhe orën e ndërprerjes së energjisë elektrike”, thotë OSHEE. Nga ana e rrjetit tension i mesëm dhe i ulët (TM/TU), OSHEE ka kryer remonte të vazhdueshme dhe së fundmi është gati të nisë investimin me vlerë 80 milionë lekë për rikonstruksionin e fiderit nr. 2 Seman. Ky projekt parashikon ndërhyrjen në 24 kabina përgjatë 30 km linjë, dhe ku përfitues janë 1900 banorë dhe biznese të zonave Topojë, Seman, Grykë dhe Shën Pjetër.