Kjo është fundjava e fundit e Italisë në regjimin e masave të izolimit të fazës së parë të luftës kundër pandemisë. Ditën e hënë më datë 4 maj do të nisë faza 2 e cila sipas qeverisë italiane “do të jetë një bashkëjetesë me virusin deri në zhdukjen e tij” dhe jo një hapje të plotë e vendit dhe kthimit në normalitetin e jetës së dikurshme. Rreth 4 milionë italianë do t’i rikthehen punës këtë të hënë nën një protokoll të ri masash për sigurinë shëndetësore personale dhe publike.
Mjetet e transportit publik, autobusët, metrotë, linjat hekurudhore do të përshtaten me një sistem të ri distancimi social që do të kufizojë largësinë nga një udhëtar në tjetrin si dhe numrin e pasegjerëve që do të udhëtojnë në to. Një protokoll sigurie do të aplikohet dhe në çdo qendër pune për të respektuar distancimin social dhe sigurinë shëndetësore të çdo punonjësi. Ditën e hënë 4 maj do të rinisë puna në sektorin e manifakturës, në kantieret e ndërtimit publik e privat, dhe në furnizimin e mallrave me shumicë.
Për lirinë personale nuk do të ketë ndryshime nga faza e parë pasi do të vazhdojë të mos lejohet lëvizja nga një rajon në tjetrin, por mund të lejohet lëvizja brenda rajonit për të takuar të afërm e familjarë. Gjitashtu faza 2 do të lejojë zhvillimin e aktiviteteve sportive individuale në natyrë në parqet e vilat publike që deri më tani kanë qënë të mbyllura. Për hapjen e dyqaneve të shitjes me pakicë gjithcka do të nisë më datë 18 maj së bashku me hapjen e bibliotekave, muzeve, ekspozitave si dhe stërvitjes sportive në nivel skuadre. Ndërsa baret, restorantet, parukeritë dhe qëndrat estetiste do të hapen në muajin qershor, por deri në hapje u lejohet të kryejnë shërbimin delivery.