Finalja e Ligës së Kampionëve të vitit 2001 ishte ndër më dramatiket dhe më të ngarkuarat me patos, që mund të mbahet mend. Pjesërisht për shkak të ekuilibrit mes dy finalistëve, Bayern Munich i Otmar Hitzfeld dhe Valencia e Hector Cuper, pjesërisht për shkak të mbizotërimit të emocioneve, të cilat e kanë zhvendosur inercinë e lojës nga spanjollët në skuadrën gjermane.
Me një emërues të madh të përbashkët: portierët Oliver Kahn dhe Santiago Cañizares, të cilët ishin protagonistët e asaj përballjeje të ethshme. Dy portierë të shkëlqyeshëm, shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Gjermani ishte i rreptë dhe me përvojë të shpejtë, gjithmonë i gatshëm t’iu bërtasë shokëve dhe kundërshtarëve të tij. Spanjolli i qetë, por eksentrik, me flokët e tij të oksigjenuara si bjond. Të dyja skuadrat ishin protagoniste të një sezoni të shkëlqyer europian.
Bayern Munich ishte një ekip i shkëlqyeshëm. Hitzfeld aplikonte modulin 3-4-3, që bëhej lehtësisht 5-4-1 gjatë lojës, në varësi të situatave. Emra si Kahn, Kuffour, Andersson, Linke, Hargreaves, Effenberg, Sagnol, Lizarazu, Elbér, Scholl dhe Salihamidzic mbeten ende në kujtesën e gjithkujt. Cuper kundërpërgjigjej me një 4-4-2 të ngurtë, me mesfushë në formë rombi. Spikasin emrat e Cañizares, Angloma, Amedeo Carboni, Ayala, Pellegrino, Ruben Baraja, Mendieta, Kily González, Pablo Aimar, Juan Sánchez dhe John Carew.
Do të jetë arbitri holandez Dick Jol, i cili do të kishte ndikim vendimtar në finale. Kjo mund të kuptohet disa minuta pas startit, duke pasur parasysh që në minutën e 3-të akordohet penallti për Valencia. Mendieta mposht Kahn me një gjuajtje të tensionuar dhe këndore, në të majtë. Kalojnë 4 minuta dhe situata kthehet: kontakti në zonën spanjolle midis Effenberg dhe Angloma konsiderohet penallti për gjyqtarin. Tani në shënjestër është porta e Cañizares. Portieri spanjoll hipnotizon Mehmet Scholl. Gjermani bën një goditje qendrore dhe e lejon mbrojtësin ekstrem kundërshtar të reagojë me një këmbë. Valencia mbetet në avantazh, teksa sfida mes dy portierëve, po ashtu anon nga spanjolli për momentin.
Ndeshja është ende shumë e gjatë dhe bëhet një lojë shahu mes dy trajnerëve. Pjesa e parë nuk dhuron gol tjetër. Hitzfeld përpiqet të zhbllokojë situatën duke futur një qendërsulmues fizik si Jancker në vend të Sagnol. Cuper vendos të fillojë të mbulohet mire, paraprakisht: jashtë mbetet Aimar, në vend të tij një mbrojtës tjetër, Albelda. Kalojnë pesë minuta dhe përpjekjet e gjermanëve, në presion në rritje, shpërblehen. Carboni duelon me Jancker. Ky i fundit e shtyn italianin, i cili e prek topin me krahun e tij. Kryesori Jol edhe një herë nuk ka dyshime dhe mes protestave të spanjollëve akordon penalltinë e dytë në favor të gjermanëve. Këtë herë godet Effenberg, duke e mposhtur Cañizares dhe 1-1.
Barazimi do të mbetej i tillë deri në bilbilin e fundit të kohës së rregullt. Loja bëhet edhe më taktike, veçanërisht pas ndryshimeve të reja të Cuper, i cili fut një mesfushor, Zahoviç, në vend të Sánchez, dhe Djukic në vend të një mbrojtësi tjetër, Ayala. Finalizimet janë të pakta, por kur topi arrin portat respektive, Kahn dhe Cañizares mendojnë për neutralizimin e tyre. Koha shtesë fillon me disa ndryshime. Hitzfeld fut Zicklerin për Elber dhe Paulo Sergio për Scholl. Megjithatë, bbarazpesha në rezultat nuk prishet dhe gjithçka duhet të vendoset në mënyrë dramatike nga lotaria e penalltive. Dy lojtarët më të parashikuar do të vendosnin se kush do ta ngrinte në qiell Kupën me veshë të mëdhenj: portierët Kahn dhe Cañizares.
Bayern Munich triumfon 5-4 nga penalltitë dhe ritakohet me Champions-in pas 25 vitesh. Kahn është heroi i finales me 3 penallti të neutralizuara. AI festoon si një tigër, që ka rrëmbyer prenë e tij, por kupton, në ato momente, se kolegu spanjoll, Cañizares, tejet i dëshpëruar shpërthen në lotë, buzë zonës së vogël. Spanjolli është i shkatërruar për Champions-in e dytë të venitur në dy vite dhe as nuk mund të ngrihet. Para se të festonte me të, portieri gjerman, i cili shumë njihet për ngurtësinë dhe pamëshirshmërinë e tij në fushë, dëshmon se është një gjerman me zemër të artë dhe shkon te Cañizares, i cili aktualisht po përjeton dramën e tij. Ai përpiqet ta ngushëllojë dhe ta qetësojë kolegun, duke e siguruar se nuk është faji i tij (Canizares shpëtoi 2 penallti, një në kohën e rregullt dhe një në lotarinë e fundit) pse Valencia e humbi atë trofe. (Telesport.al)