Nga Lorenc Vangjeli
Ish-ministri i jashtëm nuk është një nga zërat me kritikë brenda PS-së. Për momentin është tingulli i vetëm që dëgjohet me kritikë në publik. Së paku, nëse nuk përfshijmë përpara tij deputetin e Kurbinit, Gj. GJ., përjashtuar nga PS-ja dy vjet më parë. Kritik ka qenë Koço Kokëdhima, edhe ai mbasi humbi mandatin e deputetit. Lista e shkurtër zgjatet me ish-ministrin Saimir Tahiri, kritik, por me tone krejtësisht të ndryshme. Me shumë më shumë nënkuptime nënteksti sesa me tekst të mirëfilltë politik. Qëndrime të ndryshme me Ramën ka pasur e ndoshta edhe ka në heshtje ish-ministri Fatmir Xhafaj, por ato ose nuk janë bërë publike, ose janë konsumuar kryesisht brenda zyrave politike. Raporti i tyre është i ndryshëm edhe sepse mbështeten në një marrëdhënie të gjatë dhe të ndryshme në formë e cilësi të dy socialistëve që i afroi shumë opozita e përbashkët dhe i ndau qeverisja e gjatë. Deri diku dhe vetëm deri dikur, kritik ka qenë edhe Gramoz Ruçi, i cili sot me heshtjen e tij ngjan si një kryetar i importuar Kuvendi dhe jo trashëgimia fundore e brezit të fundit të socialistëve të parë.
Opozita dhe lufta drejt pushtetit i bën bashkë politikanët, pushteti i realizuar dhe ndarja e tij, i ndan ata. Bushati nuk bën përjashtim nga ky rregull. Ai e ka nisur kriticizmit e tij që mbas largimit të papritur nga posti i ministrit të jashtëm. Ka një opinion që duket se nuk i largohet shumë të vërtetës, sipas të cilit Rama e kishte projektuar me kohë që mundësinë e artë që vjen vetëm një herë në dekada – kryesimin e rradhës të OSBE-së nga Shqipëria – ta merrte mbi vete e t’ja jepte vetes. Protagonizmi i tij dhe bindja se politika e jashtme është fusha ku do të reflektonte shkëlqim edhe brenda, ishin dy faktorët që e shtynë të çojë në një ditë të bukur Ditmirin tek presidenti me kërkesën për largim nga detyra. Dhe bashkë me të, edhe një seri emrash politikë, që u zëvendësuan me përfaqësimin më apolitik të vendit në qeverisje. Bushati la të kuptohej më se njëherë atëherë, se shkaku real i largimit qëndronte tek vizioni i ndryshëm me kryeministrin në lidhje me bisedimet Kosovë – Serbi për ripërcaktimin e kufinjve. Herë me kunja ironike dhe herë me ironi me kunja, Bushati dukej që e kishte me qejf të madh të bënte diferencën me Ramën në atë periudhë, duke besuar se kryeministri kishte zgjedhur Thaçin, ndërsa ai kishte preferuar Merkelin në zgjedhje.
Që nga dhjetori i 2018-ës e deri më tani, Bushati ka pritur momentin e tij të hakmarrjes për atë që e konsideronte të vetën si meritë, mbasi ja kishin dhënë si privilegj. E bëri mbas zgjedhjeve lokale, me incidentin fatkeq të Valdrin Pjetrit, të zgjedhurit kryetar bashkie në Shkodër. Shfrytëzoi një histori që gjithsesi është shumë më ndryshe nga sa është diskutuar në politikë dhe në media dhe ja faturoi atë kryesisht Ramës, duke ditur që e vërteta mbi të shkuarën e Pjetrit, nuk është aq sterrë sa e paraqet PD-ja, por as aq rozë sa do të donte ligji e PS-ja të ishte.
Kritika e fundit në Kuvend kishte shumë më shumë sens. Ajo prek një nerv të zbuluar të shoqërisë shqiptare të mbarsur ekstremisht nga nervozizmi i izolimit prej Coronavirusit dhe kontrastit gjithmonë e më të dukshëm mes të pasurve dhe të varfërve. Inisiativa me natyrë të djathtë e qeverisë, e kritikuar nga një këndvështrim thellësisht i majtë prej Bushatit, ngre një sërë pikpyetjesh që do të donin më shumë se një përgjigje me batutë nga kryetari i grupit socialist Balla. E tallura e tij në krahasimin e Bushatit me Grida Dumën dhe një batutë kontraverse të saj, është shumë pak për të larguar shqetësimin e ligjshëm. Nuk afron transparencën e domosdoshme dhe është shumë pak për ta kundërshtuar, qortuar apo edhe korrigjuar shikimin e ish-ministrit të jashtëm, i cili në këtë rast, nuk duhet paragjykuar si individi që thotë diçka, si e thotë dhe pse e thotë, por për çfarë thotë. Kritika e Bushatit është edhe parimore, është edhe protagonizëm personal. Në fund të fundit, politika është një fushë që e kërkon protagonizmin. E vetmja përgjigje që vetë Bushati do të duhej të jepte, por ky është detyrim moral dhe jo publik, është nëse ka pasur raste të tjera të ngjashme që ka kritikuar politikat e qeverisë, kur ka qenë pjesë e qeverisë. Kjo do ta bënte më të fortë kritikën e rradhës tjetër, por jo domosdo do ta hidhte në kosh kritikën e kësaj rradhe.
Bushati nuk është as heroi që do të donin kritikët e Rames dhe as tradhëtari që do të donin të kryqëzonin njerëzit e kryeministrit. Në një vend ku heronjtë i përkasin vetëm romantizmit të së shkuarës, ai është dicka midis Pandit që do, por nuk mund dhe Blushit që nuk mund të merrte cfarë donte. Ndaj, së paku përkohësisht, opozitarizmi i tij është parathënë të mbetet në segmentin e shkurtër nga foltorja e përkohshme e Kuvendit tek përkohshmëria e lajmeve në studio televizive. Sa kohë që PS do të jetë në pushtet, sa kohë që pushteti në Shqipëri është partitokraci, sa kohë që merita e karriera ndahet si qerasje sulltani qerrata për femra harremi, sa kohë që politikanë burra e gra, sillen si femra harremi dhe grimiohen e spitullohen për t’i pëlqyer syrit qerrata të sulltanit, sa kohë që shpërblimi nuk vjen nga shërbesa, por nga shërbimi, nuk do të ketë as fraksione të heshtura dhe as fraksione të hapura. As në PS-në e sotme, as në PD-në e nesërme nëse vjen ndonjëherë në pushtet.
Pakënaqësi ka dhe shumë madje. Edi Rama e di më mirë se kushdo një gjë të tillë dhe ai i bën më mirë se kushdo hesapet e tij. Shënon mbas çdo mbrëmjeje në Surrel listën e miqve të pakësuar nga mëritë dhe të armiqve të shtuar nga uria që nuk ju nginj dot duke ditur sesa i përkohshëm është pushteti edhe kur zgjat dy mandate së paku.
Edi e di se do të vazhdojnë ta duan sa kohë është garanci e suksesit të grupit.
Rama e di se do ta adhurojnë në kohë suksesi edhe kur do të duhej ta urrenin. Dhe nëse ai humb, do ta urrejnë edhe nëse nuk ka faj për hir të retrospektivës.
Edi e di më mirë se kushdo se të gjithë ata që në heshtje kundërshtojnë stilin autoritar të Ramës, janë vetë të tillë, siç ishte edhe ai vetë kur gjëmonte dikur kundër Sali Berishës. Të gjithë janë Edi Rama në mënyrë kapilare: duke nisur me ministrat përballë stafit të tyre, duke vazhduar me drejtoret me vartësit e sektorëve që drejtojnë, duke zbritur tek vartësit përballë qytetarit hallexhi e duke përfunduar tek qytetari prind hallexhi që në shtëpi sillet si tiran e despot i vogël që kërkon bindje. Mentaliteti ballkanik që është mbizotërues në Shqipëri, ku secili e ndjen veten mbret përballë gjithë të tjerëve ka prodhuar, sa për të marrë një shembull. nja dy dyzina me deputetë socialistë që janë të bindur se e bëjnë punën e kryeministrit më mirë se Rama. Jo për simetri, por edhe në PD, në raport me Bashën, vetëm Lulzimi mund të ketë bindje se e bën njëlloj si Basha punën e kryetarit të PD-së. Gjithë të tjerët, nuk kanë dyshim se opozitarizojnë shumë më mirë se ai.
Në PS është duke ardhur në skenë brezi i katërt i socialistëve. I pari i përket ish-komunistëve dhe intelektualëve të përkëdhëlur të elitës së viteve 80-të, që bënë opozitën e fortë ndaj Berishës së parë. Brezi i dytë, të cilit në kulmin e pjekurisë politike i mbylli derën mbas shpine adoleshenti Fatos Nano, mbijetoi deri në 2009-ën dhe tashmë është harruar. Vazhdon të jetë në vijë të parë skalioni që përzgjodhi Rama që tashmë duket se drejt tentativës për një mandat të tretë, do të zgjedhë një brez të katërt socialistësh. Do të jetë më i mirë se tre të parët? Vështirë të thuhet sepse në këtë rast, shprehja e famshme latine “De gustibus non est disputandum!”, do të sugjeronte që shijet e kryetarëve të partive nuk diskutohen. Sistemi politik i instaluar në një vend tribal si Shqipëria, me kult të jashtëzakonshëm individi dhe me demokraci anemike, bën që ato vetëm të duartrokiten në pushtet dhe të bëhen qesharake në opozitë, siç ndodhi në rastin e listës së Bashës. Kjo është arsyeja se pse matrioshka shqiptare e përfaqësimit politik, mban vetëm portretin e kryetarëve. Kjo është arsyeja se pse, pavarësisht firmës në bordero apo CV-së në faqen e Kuvendit, ata janë pulla serie dhe ndryshojnë nga njëri – tjetri, po aq sa e ndryshon lëpirja me pështymë një pullë poste nga tjetra.
Edhe ideja e formacioneve të reja politike, si fraksione të partive të mëdha, është një ide e lindur e vdekur. Tentativa e fundit për zgjedhjet e 2017-ës dëshmoi se një polemist i rreptë si Blushi mund të shkruajë edhe libra, por do të dëshmonte të bentë Libra-n realitet, si dhe të tjera Sfida politike. Deri më tani, me përjashtim të LSI-së në vitin 2004, të gjitha eksperimentet me “skizma” kanë dështuar. LSI ishte shkaku kryesor nga pikëpamja politike dhe numerike që i nxorri socialistët në opozitë në 2005-ën, që mbajti në pushtet Berishën në 2009-ën, që solli në qeverisje socialistët në 2013-ën, duke bërë gabimin e jetës në 2017 duke nxjerrë veten në opozitë. Asnjë parti tjetër nuk e ka realizuar këtë shkallë protagonizmi për ta bërë politikën shqiptare tre polare. Aleanca Demokratike, një nga zërat më të fortë të opozitarizmit në vitet 90-të, liberale dhe intelektuale, e vetmja që kishte kartë morale për opozitën e asaj kohe deri në 1997-ën, mbas këtij viti u tret pak nga pak dhe sot nuk ekziston as si emër. PDr-ja e Genc Pollos, edhe pse e sponsorizuar në të gjitha mënyrat për të qenë opozitë e opozitës, nuk mundi të bëjë më shumë sesa të krijonte një mundësi që Pollo të ritrokiste në derën e Berishës dhe ca të tjerë të qëndronin në politikë. Tani politika shqiptare është bërë shumë më bipolare. Kështu që, për të pritur fraksionin ndaj Ramës duhet të pritet ose humbja e tij në zgjedhje, ose mërzia e tij nga pushteti për të ikur vetë. Në këto rrethana dhe në këtë sistem politik dhe me këtë mendësi politike e njerëzore në Shqipëri, për një kohë të gjatë karriera dhe merita do të jenë monopol i një grushti të vogël oligarkësh politikë, që do të jepen me koncesion ndaj rrethit, në qendër të të cilit, qëndrojnë gjithmonë e më të vetmuar vetë kryetarët.
“Fito të të dua dhe humb të të urrej!”, marshi i mediokërve qesharakë do të jetë avazi dramatik që do të vazhdojnë të dëgjojnë edhe ata që kanë mësuar të punojnë, edhe skuthët e vegjël një përdorimësh që dinë në përkryerje të bëjnë vetëm një gjë: t’i kthejnë epshit të çdo pushteti fundshpinën e tyre të neveritshme dhe t’i lenë peng fundshpinës së çdo pushteti, gjuhën e tyre të padobishme.