Javën e kaluar eksperti Michael Ryan, nga Organizata Botërore e Shëndetit pushtoi rrjetet sociale kur kritikoi ashpër liderët botërorë në lidhje me imunitetin e masës, duke thënë se kjo strategji nuk mund të ndihmonte në frenimin e pandemisë së koronavirusit.“Njerëzit nuk jetojnë në tufa”, tha ai me zemërim. “Unë mendoj se duhet të jemi vërtet të kujdesshëm kur përdorim terma në këtë mënyrë sepse mund të çojë në humbjen e miliona jetëve”.Imuniteti i tufës është një koncept në epidemiologji që përshkruan se si mund të frenohet një epidemi nëse një përqindje e madhe e popullatës ka imunitet ndaj një sëmundjeje. Dhe, megjithëse mund të mos na pëlqejë, kjo është një nga dy mënyrat për t’i dhënë fund pandemisë. Tjetra është zbulimi i një vaksine.

Edhe pse testimet serologjike sapo kanë filluar në të gjithë Europën, autoritetet kanë marrë të dhëna fillestare se sa njerëz tashmë janë infektuar dhe, sinjalet nuk kanë qënë pozitive. Ky është një lajm i keq, sepse do të thotë se sëmundja është aq vdekjeprurëse siç kishin frikë ekspertët dhe ne me të vërtetë jemi vetëm në fillimin e pandemisë.

Të mërkurën, një studim prej 60,000 personash u botua nga qeveria spanjolle dhe sugjeroi vetëm pesë për qind e popullsisë së vendit është infektuar, deri më tani. Rezultatet ndryshonin nga njëri rajon në tjetrin: Madridi kishte një shkallë infektimi prej 11.3 për qind; por në provincat në jug, lindje dhe veri-perëndim të vendit, shkalla është shumë më e ulët. Në Servile , për shembull, 2.3 përqind e njerëzve ishin infektuar me Covid-19.

Dje, një studim i 11.000 familjeve në Angli sugjeroi se një në katërqind persona është aktualisht i infektuar nga virusi, që nënkupton vetëm 0.27 për qind të popullsisë. Dhe në Francë, një studim i udhëhequr nga Instituti Pasteur thotë se 4.4 për qind e francezëve (2.8 milion njerëz) janë infektuar.

Studiuesit thonë se niveli i përhapjes së virusit edhe në pjesët më të goditura të vendit, në pjesën lindore dhe brenda dhe rreth Parisit, është ende mesatarisht midis nëntë dhe dhjetë për qind. Studiuesit vazhdojnë të shpjegojnë se “rreth 65 për qind e popullsisë duhet të jenë imune nëse duam të kontrollojmë pandeminë nëpërmjet imunitetit të masës.”

Është e qartë se të gjithë Europën e pret një rrugë të gjatë nga imuniteti i masës, përveç Suedisë. Johan Giesecke, një epidemiolog që këshillon autoritetet atje, thotë se Stokholmi mund të arrijë imunitetin e tufës deri në qershor. Sidoqoftë, Suedia ka një shkallë vdekjeje tre herë më të lartë se ajo e Danimarkës dhe shtatë herë më shumë se ajo e Finlandës.(gazetaSI)