Ndërsa koronavirusi vazhdon egërsinë e tij vdekjeprurëse, Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) me të drejtë po tërheq vëmendjen ndaj rreziqeve që paraqet virusi ndaj kombeve më të varfëra dhe më të prekshme – veçanërisht në Afrikë.
Si rezultat, OBSH ka pajisur 14 vende – përfshirë Republikën Demokratike të Kongos, Etiopinë dhe Nigerinë – me diagnostifikim, ekspertizë dhe pajisje për të zbuluar virusin.
Agjensia gjithashtu ka bërë thirrje për 675 milion dollarë amerikanë për të ndihmuar vendet e cenueshme – një shumë që vlerëson se do të zgjasë vetëm deri në fund të prillit. E megjithatë, pasi donatorët filluan të ofrojnë ndihma urgjente – fondacioni Bill & Melinda Gates ishte ndër të parët me një premtim prej 100 milion dollarësh – është e vështirë të shmangësh ndjenjën e déjà vu.
Përhapjet e sëmundjeve infektive shpesh shoqërohen me premtime të tilla për të përmirësuar mbikëqyrjen e sëmundjeve dhe premtime për të siguruar fonde për zhvillimin ilaceve dhe vaksinave.
Një ndihmë e përkohshme që synon mbikëqyrjen e sëmundjeve infektive – siç po ndodh tani – mund të mjaftojë në vendet ku sistemet shëndetësore janë të forta. Por për vendet më të varfëra me sistemet më të dobëta, edhe projektet më të mira do të zhduken pasi të përfundojnë këto grante, pasi rasti i Ebolas e tregon shumë mirë.
Donatorët ndërkombëtarë kanë arsye të forta për të mos dhënë fonde afatgjata për disa aspekte themelore të shëndetit publik. Një nga frikërat e tyre më të mëdha është se duke bërë donacione të tilla ata do të përfshihen shumë thellë në punën e departamenteve të qeverisë kombëtare, të cilat shpesh janë organizata të ndërlikuara për të lundruar.
Një shqetësim tjetër është se donatorët mund të perceptohen se po u thonë qeverive sovrane çfarë të bëjnë. Por kur kjo ndodhë, sistemet e shëndetit kombëtar mbeten të dobëta.
Është e qartë se gjetja e zgjidhjeve për këto probleme nuk do të jetë e lehtë. Donatorët duhet të marrin në konsideratë sesi iniciativat e tyre mund të ndihmojnë në forcimin e sistemeve kombëtare shëndetësore në planin afatgjatë.
Për shembull, ata mund të sigurojnë që punonjësit shëndetësorë që trainohen për të trajtuar pacientët që dyshohen se kanë koronavirus janë akoma të punësuar në spitale edhe pesë vjet më vonë.
Marshimi i koronavirusit na rikujton se liderët botërorë dhe donatorët filantropikë u kushtojnë vëmendje epidemive vetëm kur një infeksion është në pragjet e tyre. Ata duhet ta pranojnë që koha për të menduar për epideminë tjetër është tani. bota.al