Lajme të mira vazhdojnë të mbërrijnë nga përpjekjet e nisura nëpër botë për krijimin e një vaksine kundër Covid 19.
Një ditë pasi kompania amerikane amerikane e bioteknologjisë, Moderna deklaroi se rezultatet e vaksinës së saj eksperimentale për COVID-19, të testuar tek njerëzit, janë pozitive dhe kanë arritur të krijojnë antitrupa, mësohet se edhe faza e parë e vaksinës që po krijohet nga Universiteti i Oksfordit e që thuhet se mund të jetë gati në vjeshtë, është përmbyllur dhe ajo me sukses! Vullnetarët janë që të gjithë në gjendje të mirë shëndetësore, thonë mediat e huaja, dhe ditët në vijim nis faza e dytë e cila do të realizohet në shkallë më të gjerë, mbi tre mijë vullnetarë e do të përfundojë në shtator.
Vaksina e Modernas po ashtu deri tani është toleruar mirë, me përjashtim të ndonjë skuqjeje në vendin e injektimit tek një pacient si dhe simptoma sistemike, që përfshijnë rraskapitjen e lodhjen muskulare, tek tre të tjerë të trajtuar me dozën më të lartë, por për cdo rast, nuk është raportuar asnjë efekt anësor serioz. Në gjithë botën mbi 10 vaksina të mundshme janë në fazën e hershme apo gati për të filluar testimet.