Ish-drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, Krislen Keri, ka reaguar përmes një statusi në rrjetin social Facebook, për pajisjen e kompanisë Air Albania me Autorizimin për Vendet e Treta, si rrjedhojë e certifikimit të kësaj kompanie nga ana e AAC-së fillimisht. Sipas ekspertit Keri, autorizimi i kompanisë flamurmbajtëse shqiptare Air Albania, i jep të drejtën të fluturojë kudo në Evropë pa kufizim dhe me avionët e regjistruar në Shqipëri.

Statusi i Kerit:

Me kënaqësi mësova sot pajisjen e Air Albania, me autorizimin për Operatorët e Vendeve të Treta (TCO Authorization) nga ana e Agjencisë Evropiane të Sigurisë së Aviacionit (EASA). Çertifikimi i Air Albania nga ana e Autoritetit të Avicionit Civil (AAC), ka qenë një proces model i standardit Evropian, që filloi në mesin e 2018-ës dhe u finalizua me sukses në Mars 2019. Ndihmë e jashtëzakonshme ka qenë edhe ajo e Autoritetit Italian, ku gjej rastin të falenderoj personalisht edhe Drejtorin e Përgjithshëm të saj, mikun tim, Dr. Alessio Quaranta.

Pas çertifikimit tonë, kompania aplikoi pranë autoritetit përgjegjës në BE, EASA, me qëllim zhvillimin e fluturimeve pa kufizime dhe me avionët e regjistruar në Shqipëri.  Procesi i TCO ishte shumë i rëndësishëm edhe për AAC pasi si pjesë e tij EASA vlerësonte dhe punën tonë për çertifikimin e kompanisë.  Autorizimi TCO është autorizimi për sigurinë në operim (Safety) nga BE për operatorët ajror të huaj.  Me këtë autorizimi Air Albania mund të fluturojë kudo në Evropë pa kufizim dhe me avionët e regjistruar në Shqipëri.

Gjatë procesit të vlerësimit nga EASA ka pasur vetëm 1 gjetje, në një kohë që në aplikime të ngjashme përpara 2017-ës nga kompani Shqiptare kanë pasur mbi 10-15 gjetje. Suksesi nuk është shkencë, ne nuk shpikim, vetëm zbatojmë çfarë thonë ligjet tona, ligjet e BE dhe standardi ndërkombëtar. Po bëre këtë, çdo gjë është e thjeshtë për këdo, kompanitë, punonjësit, pasagjerët, etj. Tashmë Aviacioni Civil Shqiptar, për herë të parë, ka një proces precedent që mund ta replikojë suksesshëm për të ardhmen.