Shpallja qytetar nderi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Baker, në vitin 1991, sapo vuri këmbën në kryeqytetin shqiptar, shënon ndoshta parathënien e historie të gjatë se sa e rëndësishme do të ishte ndërhyrja e ndërkombëtarëve në vendin tonë.
Nga viti 1991, Shqipëria ka ende për të luftuar disa prej betejave për më shumë liri. Vetëm 6 vjet më vonë, do të vinin trazirat e 1997, çka detyruan vendosjen e misionit të OSBE, ndërsa roli i ambasadës amerikane nuk ishte vetëm diplomatik.
“Për të kaluar në një sistem multipartiak viti 1991. Nëse marrim momentet e krizave, ka qenë viti 1997, një ndërhyrje politike-ushtarake, e cila qetësoi vendin nga marrëzia, nga çmenduria. Edhe në vijimësi ka pasur ndërhyrje pikërisht për të eliminuar krizat”, shprehet analisti Lutfi Dervishi.
Zgjedhjet dhe drejtësia janë dy reformat që i kanë bërë shpesh ndërkombëtarët të ndërhyjnë fort në politikën e brendshme. Kur durimi soste, nga diplomatike gjuha bëhej kërcënuese. “Do të ketë pasoja specifike, negative, nga Shtetet e Bashkuara për ata udhëheqës politikë që do të votojnë kundër kësaj reforme”, shprehej më 19 korrik 2016, ambasadori në atë kohë i SHBA-së në Tiranë, Donald Lu.
“Marrëveshja jonë në vitin 2016 ka qenë, të votojmë reformën në drejtësi, jo se e deshën politikanët tanë e votuan se u detyruan ta bëjnë këtë gjë të tillë”, shprehet Afrim Krasniqi.
Donald Lu është një nga përfaqësuesit e Uashingtonit në Shqipëri, që më shumë ra në sy për fjalët e tij pikante, ndihmuar nga përcjellja e mesazheve me një shqipe të mirë. “Nëse ulni kokën dhe shihni kyçin e dorës dhe mbajnë një orë që kushton më shumë se makina ime, ka të ngjarë të jetë një gjyqtar i korruptuar”, shprehej Lu.
Politika e buzëqeshur shqiptare i ka detyruar shpesh diplomatët e Tiranës të ndryshojnë regjistër përballë veshëve të mbyllur, por zgjedhjet e 30 qershorit bënë edhe zyrtarët më të lartë në departamentin e shtetit, që të kalonin në kërcënime.
Matthew Palmer konfirmoi me zë dhe figurë mesazhet që u kishte dërguar përfaqësuesve të opozitës, që kishin paralajmëruar se nuk do lejonin hapjen e qendrave të votimit. “Pengimi i zgjedhjeve mund të përbëjë një bazë për t’u përjashtuar nga marrëdhëniet me Shtet e Bashkuara”, shprehej Palmer në qershor 2019.
Të njëjtat reforma kanë rikthyer gjuhën e drejtpërdrejtë të ndërkombëtarëve. E fundit është Yuri Kim që ndonëse jo me fjalë të rënda, e tha troç se nuk kishte simpati për kë luante kukafshehtas. “Ka ardhur koha të reshtni së bëri pazare, është koha të bëhen reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore, sikurse i kanë premtuar popullit shqiptar”, shprehej më 22 maj Yuri Kim.
“Mesazhi është i marrë nga palët, por këtij mesazhi tashmë i bashkëngjitet edhe mesazhi publik”, shprehet Lutfi Dervishi.
Analistët vërejnë se krahasuar me rajonin, Shqipëria është më e ekspozuar ndaj ndërhyrjeve ndërkombëtare, ndonëse ende nuk duket t’i ketë çuar gjerat deri në atë pikë sa të marrë këtë thirrje që në vitin 2014 ish-ambasadorja amerikane, Jacobson i drejtoi politikës së Prishtinës me një gjuhë aspak diplomatike./A2