“Janë humbur dy vjet e gjysmë me zaptimin e tokës publike nga një grup njerëzish, të cilët siç e treguan ngjarjet e fundit janë totalisht të ndikuar dhe të nxitur nga parti të caktuara politike”, deklaroi sot aktori i njohur, Laert Vasili në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Vasili u shpreh se, “gjendja e godinës së Teatrit Kombëtar ishte e turpshme”.

Ai tha për ATSH se “artistët këto vite ishin lënë në mëshirën e fatit për të luajtur në kushte jashtëzakonisht të këqija, jo vetëm sa i takon anës teknike, por edhe anës së shëndetit”.

Vasili tha më tej se, “një nga arsyet që privati u tërhoq dhe tashmë godinën e re të Teatrit Kombëtar do e marrë përsipër shteti ishte sepse nga artistët u kërkuan të gjitha parametrat e një skene të Teatrit Kombëtar bashkëkohor me të gjitha lehtësirat dhe ambientet mbështetëse që nevojiten për të krijuar një spektakël, ashtu siç e kërkojnë nevojat bashkëkohore. Kjo bëri që privati të tërhiqej, sepse u rrit shumë niveli i kërkesës”.

Duke vënë dukje se “po presim me padurim Teatrin e ri Kombëtar”, aktori Vasili thotë për ATSH se “e ashtuquajtura “Aleancë e rehatit”, se për mbrojtjen e Teatrit s’ishte, ishte aty për të zaptuar një godinë publike. Një përçudnim i godinës dhe i kujtimeve të atyre njerëzve që mbushën shpirtin e qytetarëve me ndjesi gjithë këto vite erdhi një grupim i cili prej kaq kohësh na pengonte duke na kërcënuar dhe shpesh herë kemi kaluar dhe në dhunë fizike, kushdo që shkonte në godinën e Teatrit Kombëtar për të marrë garderobë, objekte skenike, rekuizitë apo çfarëdo gjëje tjetër që është e nevojshme për një shfaqje teatrale. E ashtuquajtura “Aleancë” nuk lejonte asnjë. Dhe kjo u kuptua më së miri këto ditë se nuk kishte të bënte fare me teatrin, por ishte e nxitur nga parti politike”, tha për ATSH, aktori dhe regjisori i njohur.

Vasili deklaron se “nuk njoh asnjë artist që është kundër teatrit të ri. 99% e komunitetit artistik nuk do të ndërtojë teatër të ri sepse një nuk dashka? Demokracia funksionon nëpërmjet shumicës”.

“Anarkia dhe unë ngre bajrakun tim, funksionon sipas “ç’më duhet mua se ç’bëj unë”, thotë Shvejku tek “Ushtari i mirë Shvejk”. Me këtë logjikë se ç’më duhet mua se ç’bëj unë teatri, aktorët kanë humbur 2 vjet e gjysmë që nga kjo fazë, kur u ezaurua me 12 takime ku përgatitej gjithçka, por ai grupim që sot quhet “Trahanaja e rehatit”, që në takimin e parë iu kapën mesazhet dhe dolën online nga të tjerë, nga anëtarët e Këshillave Kombëtare të partive të ashtuquajtura opozitë. U vinin mesazhe ku u thuhej bëni zhurmë, bëni sherr, mos lini njeri të flasë. Këto mesazhe kanë dalë online. Që në mbledhjen e parë që është bërë këtu e 2 vjet, tryeza e rrumbullakët nga ministrja e atëhershme e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe kryetari i bashkisë, Erion Veliaj”, tha Vasili për ATSH.

Pra, shtoi Vasili, “që në zanafillën e kësaj çështjeje ai grupim ka treguar që ditën e parë që është forcë regresive dhe nuk ka fare ndonjë shqetësim për Teatrin dhe e vetmja gjë që po pret është ndoshta përmbyset qielli me tokën dhe kap ndonjë kockë. Por qielli do të qëndrojë gjithmonë lart dhe toka do të qëndrojë gjithmonë poshtë. Dhe Teatri prandaj do të triumfojë sepse është një art hyjnor. Të tjerët që kanë marrë ndoshta premtime nga kolltukofagët e politikës do të zhgënjehen siç u zhgënjyen me çfarë ndodhi ditët e fundit”.