Nga Mero Baze
Ka së paku tre mesazhe linçimi për kulturën shqiptare, nga skena teatrale politike, e zhvendosur para gërmadhave të Teatrit të shembur.
E para është linçimi I atyre që duan një teatër të ri. Shumica e këtyre janë figurat më të rëndësishme të historisë së teatrit shqiptar. I kemi parë emrat e tyre, intervistat e tyre, bile dhe amanetet e atyre, që kanë qenë kollosë të kësaj skene, e kanë vdekur duke shpresuar të ketë një teatër të ri.
Ata janë I gjithë ashti I Teatrit shqiptar që nga Kadri Roshi I vdekur me ëndrrën të bëhej një teatër I ri, e deri tek Ndrenika, Zhysti, Paja, Kulla etj.
Të gjithë ne kemi shkuar në teatër pre tyre, jo prej ndërtesës. Ata e prodhuan Teatrin shqiptar çdo ditë, me talentin e tyre, fuqinë e artit të tyre përkundër ideologjizimit dhe kufizimeve që I diktonte koha.
Ata na bënë të shkojmë dhe në atë godinë teatri, pa kushtet e një teatri. Ata po linçohen nga disa militantë të Partisë Demokratike, që ëndrën më të madhe kanë, të bëhen drejtora teatri, pasi nuk u bën dot kurrë aktorë të tij.
Drama reale është se kur të bëhet teatri i ri, modern dhe komodë, kam frikë se nuk do shkojë dot kurrë, të shikoj një pjesë nëse në skenë do ngjiten këta tipa, edhe pse godina do të jetë e mirë. Shumë e vështirë të bindësh një qytetar normal që këta mediokër që janë kthyer në aktorë politikë, të të bindin të shkosh ti shikosh si aktorë.
E dyta është linçimi I atyre aktivistëve apo qytetarëve që kanë bindjen, se prishja e një godine të vjetër teatri është gabim.
Ndarja normale në këtë qytet duhet të ndodhte mes atyre që kanë nostalgji për teatrin e vjetër dhe atyre që duan një teatër të ri.
Dhe kjo ndarje egziston, është reale. Problemi është se atyre që kanë nostalgji për teatrin e vjetër, i ka marrë peng një bandë politike, që ka mbetur pa kauzë dhe vrapon si hijenë, pas çdo zemërimi qytetar, që të ushqehet.
Kështu bën me parkun, me uanzën dhe kështu po bëjnë dhe me Teatrin. Viktimat e para të kësaj bande mbetur pa kauzë, janë pikërisht idealistët e kësaj kauze, ata qytetarë, aktorë apo aktivistë të shoqërisë civile, që janë në rrugë sot për bindjen e tyre pro teatrit të vjetër. Ata po rrihen me njëri tjetrin, pse nuk duartrokasin ardhjen e Lulit, apo pse nuk thanë “Bravo Monika”, kur ajo tha “do ti ha veshin Edi Ramës”.
Kjo tregon kulturën politike të linçuesve dhe tolerancën që ata kanë nëse kanë pushtet. Janë të njëjtët që më 2007, kur Berisha i dha 6 milionë euro kunatit të tij, ta bënte piramidën e Enver Hoxhës Teatër, duke e hequr këtë godinë nga objekti i konservuar duartokitën apo heshtën. Berishët hëngrën 6 milionë euro e lanë në mjerim këtë godinë dhe sot rrahin ata që nuk duartrokasin Berishën në miting. Të njëjtët heshtën kur Berisha u dha Kinostudjon klientëve të tij mediatik, apo kur prishi klubin historik “Partizani” për të bërë 200 mijë metra katrorë pallate dhëndërri i tij.
Dhe e gjithë kjo ka të bëj me hipokrizin e dy tre fjalëfolësve në atë tribunë, që i thonë vetes aktorë, por në fakt janë thjesht militantë të PD.
Ata po tradhëtojnë qytetarët që vërtet kanë dhimbje për Teatrin Kombëtar, por jo për teatrin politikë të opozitës. Ata I kanë prerë në besë qytetarët, duke I thirrur në një miting, ku rrihen po nuk duartrokitën ardhjen e Lulit, Monikës, apo Sali Berishës.
E treta dhe më e ndyra është guximi për të linçuar figurat më të rëndësishme të kombit shqiptar, përse nuk bëhen pjesë e këtij teatri politik.
Një konsomolas i PD, E. Kapri, që e përfaqëson PD zyrtarisht, si nëpunës së saj, duke marrë rrogë nga shteti shqiptar, kishte sulmuar me një fjalor barbar, Ismail Kadarenë, si “një njeri në buzë varrit”, që nuk po flet për Teatrin.
Të mendosh për një moment që njerëz që gjoja po dalin në rrugë në emër të vlerave kulturore, I urojnë vdekjen, monumentit më të madh të kulturës shqiptare që është ende gjallë, për fat të Shqipërisë, pasaportës kulturore të Shqipërisë në botë dhe simbolit ndoshta të vetëm që na identifikon ne me vlerat perëndimore në shkallën më të lart, e kupton se kjo çetë e Haxhi Qamilistëve nuk ka asnjë lidhje me identitetin kulturor të Shqipërisë, me vlerat kulturore të saj dhe aq më pak me atë të Teatrit. Ata janë një bandë që duan të marrin peng qytetarët në emër të axhendës së tyre politike, dhe të linçojnë çdo talent, çdo personalitet të Teatrit dhe çdo personalitet të kulturës shqiptare, që nuk e vënë dot në rresht. Ata mendojnë se dhuna dhe linçimi I atyre që mendojnë ndryshe nga ata, është i vetmi mjetë që mund ta bëjë shoqërinë të hesht dhe tu hap rrugë këtyre. Njësoj kanë vepruar në fillim të shekullit të shkuar këmshizinjtë dhe më pas komunistët .
Të ulërish si “dashnor” i trashëgimisë kulturore për një godinë tallashi dhe të mallkosh me vdekje nga e njëjta tribunë Ismail Kadarenë, do të thotë të jesh simbol i antikulturës shqiptare dhe një armik I egër I saj. (E vetmja amnisti është të jesh budalla)
Të qashë për dërrasat e një godine të vjetër dhe të linçosh figurat më të shquara të Teatrit shqiptar që duan një godinë të re, do të thotë të mos jesh kurrë me trashëgiminë e Teatrit shqiptar, por me idenë se aktorë janë vetëm ata që të shërbejnë ty politikisht.
Në fund të të bësh sikur je aktor, duke qenë një ëndërrues pushteti për tu bërë drejtor, dhe pastaj të gjithë këtë ta paraqesësh si revolucion kulturor në Shqipëri, është imkitim primitiv i revolucionit kulturor kinez, që çonte shkrimtarët dhe artistët në orizore për të lartësuar këta lejfenët që mbajnë fjalime politike në skenë tetari.
Kjo nuk është betejë për Teatrin dhe kulturën shqiptare, por betejë kundër vlerave të teatrit shqiptar dhe kryevlerave të kulturës shqiptare, që i kanë dhënë identitetin kulturës së kombit shqiptar. Nuk di çdo bëhet me Teatrin e ri, kur ndërtohet dhe sa i mirë do të jetë, por do të mjaftonte ndonjë prej këtyre fytyrave të ngjitej në atë skenë, për ti çuar dëm ato lekë. Se kultura shqiptare nuk janë llaçi e tullat, por librat, dramat dhe filmat shqiptarë. Ato i ka bërë Ismail Kadareja, që po mallkohet e po i çohen fatëa, Kadri Roshi, Robert Ndrenika Viktor Zhysti e dhjetra të tjerë që po linçohen në këto tubime politike. Kulturën shqiptare, identitetin e saj që e kanë prodhuar korifejtë e kulturës sonë, nuk i shemb dot as Edi Rama as Sali Berisha as Monika Kryemadhi ashtu sikundër nuk i ka shembur dot Zogu e Enver Hoxha. Këta klounët pastaj që paguhen në PD e luajnë si aktorë në bulevard, as nuk i lexojnë dot se shumicnë prej tyre I zë libri, e jo më ti linçojnë siç tentojnë të bëjnë.