Në bashkinë e Matit funksionojnë 8 njësi administrative, Burrel, Lis, Komsi, Macukull, Derjan, Rukaj, Ulëz e Baz. Sipërfaqja është afro 493 km2, popullsia 37.537 banorë. 5400 m2 janë sipërfaqe gjelbërta. Në bashkinë Mat ka 6 shkolla të mesme, 21 shkolla 9-vjeçare, 8 shkolla fillore, 33 kopshte dhe 2 çerdhe. Ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Matit 550 biznese të vogla, 134 biznese me TVSH, 15 biznese VIP dhe 29 institucione të ndryshme. Ato janë vendosur në qytetin e Burrelit, qytet që njihet si qendra administrative e Rrethit të Matit. Bashkia përbëhet nga 11.000 familje.
Ashtu si bashkitë e tjera në vend edhe Bashkia e Matit është angazhuar maksimalisht për të përballuar situatën e Covid 19. Kryetari i bashkisë Agron Malaj dhe e gjithë administrata lokale është vënë në shërbim të qytetarëve, sidomos njerëzve në nevojë. Që nga dita e parë e Aktit Normativ të Qeverisë Bashkia e Matit mori masa efikase për parandalimin e përhapjes së virusit.
Në këtë bashki është evidentuar vetëm një rast me koronavirus, edhe ky rast u importua nga Fushë Kruja. Janë kryer rreth 20 testime për Covid 19 dhe në të gjitha rastet analizat kanë rezultuar negative.
Intervista me Kryetarin e Bashkisë Mat, Agron Malaj:
Cilat janë masat që ka marrë Bashkia gjatë kësaj situate?
Masat e marra nga bashkia që unë drejtoj janë të shumta. Sapo doli vendimi i Qeverisë për karantimin e njerëzve dhe zbatimin e protokolleve shëndetësore nisëm nga puna për dezinfektimin e gjithçkaje, rrugëve, trotuareve, shesheve, objekteve shkollore, të gjitha institucioneve në territorin që ne si bashki administrojmë.
Kemi ushtruar kontrolle në qytete e fshatra për zbatimin e VKM nr.236, në mënyrë që qytetarët e të gjitha moshave dhe pronarët e subjekteve private të zbatonin me korrektësi protokollin që rekomandonte Ministria e Shëndetësisë.
Kryefjala e punës tonë ka qenë dhe mbetet ende evitentimi i nevojave më emergjente të qytetarëve, sidomos të moshuarve dhe familjeve me numër të madh antarësh, të cilat kanë probleme ekonomike.
Cilat janë nismat për të lehtësuar biznesin, kryesisht atë të vogël lidhur me taksat?
Partneriteti ynë me biznesin ka qenë dhe do të mbetet një ndër prioritetet e punës tonë. Për shkak të epidemisë kemi menduar të shtyjmë për disa muaj likujdimin e detyrimeve tatimore dhe tarifore për tregëtarët e Matit. Po ashtu kemi marrë masa efikase për të rritur shërbimet për të gjitha bizneset, pra ato të kenë mjedise më të pastra, më të gjelbërta, më shumë ujë, etj. Këto janë mundësitë tona për momentin. Në të ardhmen me siguri të tjera masa do të marrim për biznesin e vogël.
Sa familje kanë marrë ndihmë në këtë periudhë dhe a është arritur mbulimi i gjithë territorit?
Territori i Bashkisë Mat është kryesisht kodrinor dhe malor. Ne kemi zona të thyera në Derjan, Macukull e Komsi. Por edhe në fshatrat më të largët ne kemi arritur të dërgojmë ndihma ushqimore. Në këtë drejtim na ka ndihmuar edhe Ministria e Mbrojtjes për realizimin e trasportit. Bashkia jonë ka shpërndarë që nga mesi i muajit mars 4200 pako ushqimore. Kanë përfituar 1800 familje që janë evidentuar nga sektori i shërbimit social në bashki. Kanë përfituar pensionistë të vetmuar, familje të varfëra, me shumë pjestarë, ato që trajtohen me 6 % e ndihmës ekonomike, invalidët, etj. Në asnjë rast nuk ka patur kontestime apo dallime. Gjithçka ka qenë transparente dhe publike. Ditët e fundit po shpërndahen ndihma të blera më fondet e bashkisë.
Si është organizuar kjo shpërndarje dhe çfarë përbajnë pakot ushqimore?
Sapo ne nisëm punën për sigurimin e ndihmave, fillimisht nga biznesmenë matjanë dhe rrethet e tjera, pranë bashkisë u atashuan edhe vullnetarë, kryesisht të rinj dhe të reja. Në krye të punës kanë qenë punonjësit e shërbimit social, administratorët e tetë njësive, kryetarët e 44 fshatrave dhe vullnetarët, të cilët duhen falenderuar për punën voluminoze dhe të ndershme që kanë kryer. Pakot kanë qenë cilësore. Ato kanë patur vaj, miell, sheqer, detergjentë, pije të ndryshme. Në të shumtën e rasteve pakot kanë qenë mbi 15 kg. Unë dhe matjanët nuk do ta harrojmë bujarinë e biznesmenëve. Në çdo rast ne i kemi publikuar në faqen zyrtare të bashkisë emrat e subjekteve që iu përgjigjën pozitivisht kërkesës tonë për ndihma ushqimore.
Si po funksionon vetë institucioni i Bashkisë gjatë kësaj periudhe?
Edhe ne si shumë institucione të tjera në vend jemi përshtatur shpejt me situatën. Administrata ka punuar me numër të reduktuar punonjësisht dhe nga ora 08.00-13.00. Nuk është braktisur puna në asnjë zyrë, por kemi urdhëruar të punohet me “turne”, pra me pak specialistë në çdo zyrë. Po ashtu veç dezinfektimit të institucionit në çdo zyrë specialistët kanë mbajtur maska, doreza dhe dezinfektantë. Janë shmangur takimet me shumë njerëz dhe është mbajtur distanca gjatë punës. Nga ana jonë është synuar ofrimi i shërbimeve online. Në çdo rast kemi këmbëngulur të zbatohen protokollet e Ministrisë së Shëndetësisë.
Si po vijon puna për investimet publike, a janë ndërprerë ato, apo vijon në mënyrë të kufizuar?
Investimet e mëdha janë ndërprerë për momentin për shkak të pandemisë globale, ndërkohë ndërmarrja bashkiake dhe ajo e rrugëve rurale vijojnë punën me kapacitet të plotë. Aktualisht kemi vijuar punën për ndërtimin e mjediseve çlodhëse në çdo lagje të qytetit. Po ashtu mjetet e ndërmarrjes së rrugëve vijojnë mirëmbajtjen e tyre. Jemi të bindur se pas pak muajsh edhe investimet e mëdha do të nisin në bashkinë tonë.
A mendoni se këto kufizime do të ndikojnë në ekonominë e qytetit?
Normalisht që ekonomia e qytetit do ta ndjejë ndaljen e punës. Qeveria ka marrë masa për shumë kategori që janë prekur nga kufizimet. Shpresojmë dhe urojmë që pasojat të jenë sa më të pakta.
Cilat do të jenë prioritetet e Bashkisë deri në fund të këtij viti?
Qëllimi ynë kryesor është funksionimi normal i Bashkisë Mat. Kryerja e dy investimeve të mëdha do të ketë impakt te qytetarët e Burrelit. Kujdes po tregojmë për furnizimin me ujë të 17 fshatrave dhe qytetit të Burrelit, duke synuar shtimin e orëve me ujë për konsumatorët. Ne presim të nisim investimin për rikonstruksionin e sheshit “Ahmet Zogu” dhe Parkut “Nëna Mbretëreshë, Geraldinë”. Sistemimi i mjediseve publike dhe rehabilitimi i rrugëve rurale nuk do të ndalen për asnjë moment.
Si janë marrëdhëniet me përfaqësuesit e opozitës lokale?
Po ç’marrëdhënie? Opozita si në Tiranë dhe në rrethe është kanditandisur keq, të dhimbset në çfarë terexheje ka rënë. Që nga dita e parë e epidemisë merren vetëm me shpifje, akuza, sajesa. Një herë të vetme nuk iu drejtuan qytetarëve me mesazhe të qarta për t’u mbrojtur nga Covid 19. Individë të opozitës lokale kanë marrë atributet e degës këtu në Mat dhe vetëm shpifin. Ndërkohë antarësia e saj na ka falenderuar dhe mbështetur kudo për angazhimin tonë, për përballimin e situatës.
Ju vetë si kryetar i Bashkisë si e keni organizuar raportin mes punës në këtë periudhë, por edhe të familjes suaj?
Të them të drejtën mbi 75 % të kohës ia kam kushtuar qytetarëve matjanë që më kanë besuar këtë detyrë të rëndësishme. Pak kohë ka mbetur për familjen, por familjarët më mirëkuptojnë dhe kështu jemi përshtatur. Fundjavën qëndroj pranë familjes e cila më mbështet fort. Do të kalojë situata e pandemisë dhe me siguri do ta korigjoj raportin mes punës dhe familjes. tirananews.al