Tiranë, 5 Maj- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka publikuar në faqen e saj në Facebook një videomesazh drejtuar qytetarëve nga prof Silva Bino, Drejtuesja e Shërbimit Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP.
Në këtë videomesazh Bino shprehet se virusi qarkullon ende dhe për këtë ne duhet të jemi të kujdesshëm. Pavarësisht se dalim, duhet të jemi të përgjegjshëm për sjelljen tonë, pasi sjellja individuale është shumë e rëndësishme në këtë fazë.
“Kam një mesazh për të gjithë qytetarët, pasi jemi në fazën e hapjes, lëvizjes, dhe duhet të jemi të kujdesshëm. Virusi nuk është zhdukur, as nga Shqipëria, as nga Evropa dhe as nga bota. Virusi qarkullon dhe për këtë ne duhet të jemi të kujdesshëm”, shprehet Bino.
Prof Silva Bino apelon për mbajtje të distancës, të higjenës dhe mosprekjen me duar të objekteve të ndryshme në menyrë që të shmanget kontaminimi.
“Të jenë sa më të përgjegjshmë, pra të mos përqafohen, të mos shtrëngojnë duart, por të ruajnë distancë me njëri-tjetrin, pasi virusi mund të transmetohet gjatë përqafimeve, prekjes së duarve apo objekteve. Ruajtja e distancës, higjiena, mbajtja e maskës në mjedise të grumbulluara, në markete a dyqane që kanë mbi dy veta, do të na ndihmonte të ruanim veten dhe personat e tjerë”, thotë Bino në video e postuar nga ministrja Manastirliu.