Këshilli i Sigurisë në Maqedoninë e Veriut ka vendosur që gjendja e jashtëzakonshme në vend të vazhdojë edhe për 14 ditë të tjera.

Pas mbledhjes së Këshillit, presidenti Stevo Pendarovski deklaroi se situata është përmirësuar në raport me periudhën e kaluar dhe se strategjia për parandalimin e koronavirusit po jep rezultate.

Vazhdimi i gjendjes së jashtëzakonshme do të jetë për 14 ditë ndërsa kryeministri teknik, Oliver Spasovski kishte kërkuar që gjendja të zgjatej për 30 ditë.

Sipas Pendarovskit, arsyeja për mos zgjatjen deri në 30 ditë është nevoja për lehtësimin e efekteve socio-ekonomike nga kriza shëndetësore. Presidenti shtoi po ashtu se vendimi për gjendjen e jashtëzakonshme nuk ka lidhje me datën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.